Një grua, Helen Roberts, në Swansea, Mbretëri e Bashkuar, ka takuar të afërmit e humbur për herë të parë në jetën e saj pasi një kartolinë 121-vjeçare, më në fund, u dorëzua në adresë në fillim të këtij muaji.
Kartolina mbërriti në Swansea Building Society, e cila dikur ishte shtëpia e gjyshit të Roberts dhe ajo ende jeton në zonë, sipas Sky News.
Gjyshi i saj ishte vëllai i Ewart – dërguesi i kartolinës – dhe marrësi, Lydia.
Mësohet se dërguesi ka qenë duke qëndruar në shtëpinë e gjyshërve kur ia ka dërguar kartolinën motrës së tij.
“E dashur L, nuk munda, nuk ishte e mundur t’i merrja këto palë. Më vjen shumë keq, por shpresoj se po kënaqeni në shtëpi. Tani kam rreth 10/- [shilinga] si para xhepi pa përfshirë trenin, kështu që unë jam mirë. Më kujtoni te zonjusha Gilbert dhe John. Me dashuri për të gjithë nga Ewart”, shkruhet në kartolinën 121-vjeçare.
Roberts kishte gjurmuar pemën e saj familjare në internet kur mori një mesazh menjëherë pasi kartolina u shpërnda për herë të parë në internet.
“Ishte nga një zonjë që e kishte parë artikullin në mediat sociale, dhe ajo vendosi emrin dhe adresën e personit të cilit iu dërgua kartolina në Ancestry dhe më pas e gjurmoi atë [në] pemën time familjare,” tha Roberts, cituar nga Sky News. “Sapo pashë adresën dhe emrin e kuptova menjëherë se ishte shtëpia e familjes së gjyshit tim dhe Lydia ishte motra e tij.”
Familja që atëherë është ribashkuar me Robertsin dhe motrën e saj Margaret Spooner, duke u takuar të mërkurën me nipin e Ewart, Nick Davies dhe stërmbesën e Lydia-s, Faith Reynolds.
“Ishte mrekulli të mërkurën, të takoja dy anëtarë të familjes sime të gjerë, për të cilët nuk kisha dëgjuar kurrë më parë, e lëre më t’i kisha takuar”, shtoi Roberts.
Roberts zbuloi gjithashtu se kjo i ka mundësuar asaj të mësonte më shumë për vëllezërit e motrat e gjyshit të saj, duke shtuar se ata kanë shkëmbyer emaile duke u mundësuar atyre të mbajnë kontakte dhe të mësojnë më shumë për familjet e tyre.
Çuditërisht, një tjetër anëtar i familjes u shfaq në Kanada, i cili kontaktoi Davies pasi artikulli u shpërnda fillimisht në internet.
“E gjithë kjo gjë ka qenë befasuese. Jo vetëm që u shfaq kartolina, por si e lidhi familjen dhe sa shumë është bërë virale globalisht. Është e habitshme,” përfundoi Roberts.