Arrestimi i një udhëheqësi të kartelit të drogës në qytetin meksikan të Reynosa-s , në kufirin me SHBA-në, shkaktoi bllokime rrugësh, vandalizëm dhe të shtëna me armë të hënën, thanë autoritetet.
Alexander “N”, një “objektiv prioritar” dhe udhëheqës i një karteli droge që vepronte në shtetin veriperëndimor të Tamaulipas, u mor në paraburgim nga autoritetet, tha një zëdhënës i zyrës së prokurorit lokal nëpërmjet X.
Sipas mediave meksikane, ky është Alexander Benavides Flores, i njohur edhe si “R9”, kreu i Los Metros, një nga fraksionet e Kartelit të Gjirit, i cili është dobësuar në dekadën e fundit për shkak të arrestimeve të anëtarëve të grupit të tij udhëheqës.
Në shenjë hakmarrjeje, anëtarët e Los Metros ngritën tetë postblloqe në autostradat që lidhin Reynosën me tre komunitete fqinje meksikane.
Reynosa, e cila ka një popullsi prej rreth 690,000 banorësh, ndodhet përballë qytetit amerikan McAllen të Teksasit dhe ka qenë prej kohësh një bastion i Kartelit të Gjirit, dikur një nga grupet më të fuqishme të krimit të organizuar në Meksikë.
Që nga agimi, përdoruesit e mediave sociale i kanë paralajmëruar banorët të shmangin udhëtimet, duke thënë se banditë kanë vënë flakën gomave të makinave dhe objekteve të tjera dhe se të shtëna me armë zjarri mund të dëgjohen në rrugë.
Megjithatë, sipas autoriteteve në Tamaulipas, rendi është rivendosur dhe nuk është raportuar për viktima.