Harry Kane dhuroi një nga intervistat më të pazakonta pas ndeshjes në historinë e Kupës së Botës, pasi pothuajse e kishte humbur zërin duke kënduar me tifozët anglezë.
Pas fitores dramatike 3-2 të Anglisë ndaj Meksikës, kapiteni i “Tre Luanëve” iu bashkua bashkëlojtarëve dhe tifozëve në këndimin e hitit të famshëm të Oasis, “Wonderwall”. Por entuziazmi i madh bëri që Kane të mbetej pothuajse pa zë në momentin kur duhej të fliste për BBC-në.
Anglia siguroi kualifikimin në çerekfinale të Kupës së Botës falë golave të Jude Bellingham, i cili realizoi dy herë, dhe Harry Kane, që shënoi nga pika e bardhë.
“Tre Luanët” krijuan epërsi prej dy golash në pjesën e parë pas dopietës së shpejtë të Bellinghamit, por goli i Julian Quiñones pak para pushimit e riktheu Meksikën në lojë dhe ndezi atmosferën në “Estadio Azteca”.
Skuadra e Thomas Tuchel u detyrua të luftonte fort në pjesën e dytë, sidomos pasi Jarell Quansah u ndëshkua me karton të kuq direkt për një ndërhyrje të lartë ndaj Jesus Gallardos, pas ndërhyrjes së VAR-it.
Presioni mbi Anglinë u rrit edhe më shumë në minutën e 69-të, kur Raúl Jiménez realizoi nga penalltia dhe e ngushtoi rezultatin në 3-2. Me një lojtar më pak, anglezët u detyruan të mbroheshin me çdo kusht deri në fund.
Pas 11 minutave shtesë, Anglia arriti ta ruante epërsinë dhe të kalonte tutje. Menjëherë pas fishkëllimës së fundit, lojtarët anglezë shkuan te tifozët udhëtues për ta festuar fitoren me këngën tashmë të kthyer në traditë, “Wonderwall”.
England players and the few fans behind the goal sing Wonderwall together.
— Football Away Days (@FBAwayDays) July 6, 2026
What an incredible moment for every single one of them. ❤️🏴 pic.twitter.com/JibASBS6kW
Si zakonisht, kapiteni Harry Kane u thirr më pas për intervistë televizive, por ajo që pasoi u bë menjëherë një nga momentet më të komentura të Botërorit.
Kane mezi fliste, pasi zëri i tij ishte shterur pothuajse plotësisht nga festa. Madje edhe vetë sulmuesi nuk mundi ta mbante të qeshurën teksa dëgjonte veten duke folur.
“Zëri më ka ikur,” tha Kane duke qeshur. “Ishte një ndeshje e çmendur, duhej të luftonim. Duhej të gjenim diçka. Sapo isha duke kënduar atje, nuk mund të flas siç duhet.”
“Gjithçka ishte kundër nesh, por ne gjetëm një mënyrë. Jam pa fjalë, nuk mund të flas fare,” shtoi kapiteni anglez.
Pamjet e intervistës u bënë shpejt virale në rrjete sociale, me tifozët që e cilësuan si një nga momentet më argëtuese të turneut. Disa e quajtën “momentin më të mirë të Botërorit deri tani”, ndërsa të tjerë bënë shaka se Kane tingëllonte si Marge Simpson.
Anglia tani do të përballet me Norvegjinë në çerekfinale të Kupës së Botës, të shtunën më 11 qershor. Kjo sfidë pritet të sjellë edhe një duel të madh mes dy prej sulmuesve më të mirë në botë: Harry Kane dhe Erling Haaland. /GazetaExpress/