Joe Biden për Kosovën - Gazeta Express
string(21) "joe-biden-per-kosoven"

Joe Biden për Kosovën

Gazeta Express

26/08/2020 17:38

Për shtetin e Kosovës, sidomos për politikanët e Kosovës, me rëndësi është të kultivohet raporti me shtetin amerikan dhe të mos lëshohen në aventura të përkrahjes publike të njërit apo tjetrit kandidat – qoftë Bidenit, qoftë Trumpit. Tri decenie zgjedhjesh amerikane dëshmojnë se pavarësisht se cili kandidat fiton, në fund fiton edhe Kosova.

Fitim Salihu

Lexo Edhe:

Kanë mbetur më pak se 70 ditë deri në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Natyrisht, jo vetëm amerikanët, por bota mbarë, një herë në katër vite, pret në ethe konklavën e “papës” së ri laik të botës, rezultatin e zgjedhjes së presidentit të shtetit më të fuqishëm në botë. Përjashtim nuk bën as Kosova. Sidomos Kosova. Një vend i cili ia njeh ekzistencën e vet, lirinë dhe pavarësinë, ndihmës së shtetit amerikan. Gjer kur shquajmë fumata bianca-n e Shtëpisë së Bardhë, ne mbajmë frymën për ta kuptuar emrin e presidentit të ri.

Tash që edhe zyrtarisht Joe Biden do të jetë i nominuari demokrat për të punuar në Zyren Ovale, po ndalem në tre momente kur ai e ka dëshmuar përkushtimin e tij ndaj çështjes së Kosovës.

I pari ishte në pranverë 1999. Kur bota po vështronte mizoritë serbe mbi popullsinë civile shqiptare të Kosovës, Joe Biden kosponsoroi më 23 mars 1999 Rezolutën 21 të Senatit amerikan përmes të cilës autorizohej Presidenti Clinton që ta fillonte fushatën e bombardimeve mbi Jugosllavinë për t’i dalë në ndihmë popullit të Kosovës.

Madje, asokohe, senatori Biden ishte edhe më i ashpër ndaj Serbisë sesa vetë administrata Clinton: “Në Washington ka vetëm tre njerëz [Biden, McCain dhe Dole] që mendojnë se duhet të shkojmë drejt e në Beograd dhe ta arrestojmë Milosheviqin. Duhet të hyjmë me trupa në terren. Ne duhet ta themi hapur se do të ketë viktima amerikane. Duhet të hyjmë në Beograd dhe ta okupojmë vendin, siç bëmë në Gjermani dhe Japoni. Duhet të hapim gjyqe publike për ta hequr maskën e viktimizimit të serbëve që njerëzit në Serbi ta dinë se çfarë ka ndodhur.”

I dyti moment ishte pas çlirimit të Kosovës kur Joe Biden njashtu e përkrahu idenë që UÇK-ja të mos demobilizohej tërësisht, por vetëm të transformohej. “Komandantët ushtarakë të NATO-s dhe UÇK-ja janë afër një marrëveshjeje për integrimin e UÇK-së në forcën paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë,” do të deklaronte Biden në shtator 1999 për “Fox News Sunday”.

Momenti i tretë ishte në mars 2007 kur, së bashku me kolegët senatorë Joe Lieberman, John McCain dhe Gordon H. Smith, sponsoroi Rezolutën bipartizane 135 të Senatit të Shteteve të Bashkuara ku përmes 10 pikave të kësaj rezolute historike kërkohej që pavarësia e Kosovës të mbështetej nga shteti amerikan.

Për më tepër, këto nuk janë të vetmet lidhje të Bidenit me vendin tonë. Pos dy vizitave në Prishtinë në cilësinë e zëvendëspresidentit amerikan – në vitin 2009 dhe në vitin 2016 – Biden ka një lidhje emocionale familjare me Kosovën. I biri i tij, Beau Biden, i cili vdiq në moshën 46-vjeçare më 2015 nga kanceri, ka shërbyer si trajnues i prokurorëve dhe gjykatësve të Kosovës fill pas lufte. Emrin e tij sot mban rruga Gjilan-Ferizaj dhe vetë zëvendëspresidenti Biden ka marrë pjesë, së bashku me anëtarë të tjerë të familjes, në përurimin e emrit të ri të kësaj rruge.

Por, përkundër afërsisë së dukshme të Bidenit me Kosovën, gabimin më të madh e bëjmë nëse mendojmë se njëri kandidat për në Shtëpinë e Bardhë do të ishte më i mirë për ne se sa tjetri. Historikisht ia kemi huqur.

Krejt kemi qenë me Bushin plakun më 1992 (për shkak të “Kërcënimit të kërshëndellave”) dhe Bob Dolein më 1996 (për shkak të afërsisë së tij me lobin shqiptar) dhe dy herat ka fituar Bill Clinton, ai që sipas nesh ishte më pak proshqiptar se këta dy të parët. Në fakt, me Clintonin pati ardhë liria jonë.

Më 2000 kemi menduar se Al Gore, si zëvendës i Clintonit, dhe jo Bush i riu, kishte për të qenë më mirë që të fitonte. Madje, fakti që Al Gore kishte në tiketë si kandidat për zëvendëspresident senatorin e njohur e të lartcekur proshqiptar, Joe Liebermanin, bënte që simpatia jonë të ishte prore më e madhe për të. Njëlloj, më 2004 kemi besuar që John Kerry është më pro-Kosovë se Bush. Edhe këto dy hera ka fituar Bush kundër favoritëve tonë. Në fakt, me George W. Bushin pati ardhë pavarësia jonë.

Njëjtë ia kemi huqur me John McCainin më 2008 dhe Hillary Clintonin më 2016 kur kanë humbur si kandidatë favoritë të popullit tonë. (Më 2012 i kemi pas deleguar goxha si barabar elektorët mes Barack Obamas e Mitt Romneyt.) Me Obaman e Donald Trumpin nuk kemi fituar aq sa me dy administratat pararendëse, por prapë kemi fituar diçka: përkrahjen në GjND dhe atë për pranim në organizata ndërkombëtare (me Obaman) dhe përkrahjen për FSK-në (me Trumpin).

Summa summarum, gjithmonë kandidatët tonë të preferuar kanë humbur. Siç do të thoshte Presidenti Trump, jemi kallëzuar “big-time losers”. Nejse, me rëndësi që edhe kur kanë fituar “rivalët” tonë, prapë kemi fituar ne. Këtë vit, Joe Biden e ka mundësinë ideale për ta thyer këtë ogur të zi dhe të bëhet kandidati i parë i dashur i kosovarëve që ngadhënjen në garën presidenciale amerikane.

Por, për shtetin e Kosovës, sidomos për politikanët e Kosovës, me rëndësi është të kultivohet raporti me shtetin amerikan dhe të mos lëshohen në aventura të përkrahjes publike të njërit apo tjetrit kandidat – qoftë Bidenit, qoftë Trumpit. Tri decenie zgjedhjesh amerikane dëshmojnë se pavarësisht se cili kandidat fiton, në fund fiton edhe Kosova.