Jo pa Amerikën - Gazeta Express
string(14) "jo-pa-ameriken"

OP/ED

Gazeta Express

01/06/2023 18:42

Jo pa Amerikën

OP/ED

Gazeta Express

01/06/2023 18:42

Raporti me SHBA-të nuk duhet konsideruar çështje “nënshtrimi” ose “dorëzimi”, por çështje partneriteti strategjik. Përpara duhet dhe mund të ecet edhe duke marrë parasysh kërkesat e amerikanëve.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Situata në veri të vendit vazhdon të jetë problematike, ndërkohë që zyrtarë të lartë amerikanë dhe europianë bëjnë thirrje që palët të merren vesh, në mënyrë që tensionet të zbuten. Kryeministri Albin Kurti përsërit se kryetarët duhet të paraqiten në punë në ndërtesat e komunave dhe specialët nuk do të tërhiqen pa u larguar banditët që po sulmojnë ushtarë paqeruajtës, policë e gazetarë.

Në aspektin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, institucionet kosovare kanë plotësisht të drejtë që të shtrijnë sovranitetin në çdo cep të vendit. Logjikisht, kryetarët e zgjedhur, ndonëse me legjitimitet të cunguar, do të duhej që pushtetin ta ushtrojnë nga zyrat e veta në komuna. Por,

reagimi i qytetarëve serbë kundër kryetarëve dhe policisë dhe sulmet brutale të banditëve në veri, janë shenja se ata nuk i duan këta kryetarë e as forcat e rendit.

Dy kryetarët që i takojnë PDK’së – i Zveçanit dhe Zubin Potokut – tashmë kanë nisur punën në zyrat komunale të vendosura në fshatrat me shumicë shqiptare në veri, duke respektuar rekomandimin e amerikanëve. Kryetari i Mitrovicës së Veriut po e vazhdon punën pa problem në zyrë, ndërkaq ai i Leposaviqit tash sa ditë mbetet i mbyllur në zyrën e tij.

Situata e krijuar ka shkaktuar reagime të shumta. Opozita po shfaq drojën që qasja e Kurtit nëraport me amerikanët është e rrezikshme dhe kryeministri duhet t’i dëgjojë këshillat e tyre.

Ndërkohë, qëndrimi i kryeministrit dhe partisë së tij është që nuk duhet tërhequr prapa.

Krizën në veri të Mitrovicës nuk duhet parë në kontekst lokal e as të izoluar. Ashtu siç nuk duhet parë as reagimet dhe kërkesat e amerikanëve. Atë çfarë ndodh në veri duhet parë në kontekst të zhvillimeve gjeopolitike dhe si rrezik për përkeqësim më të gjerë të gjendjes së sigurisë. Veriu

mbetet pikë e nxehtë për tensione dhe pjesë, të cilës duhet qasur me kujdes e ndjeshmëri. Është e kuptueshme se lufta ndaj krimit dhe kontrabandës atje duhet të vazhdojë. Pa u pastruar nga krimi, bandat dhe strukturat shtetërore, veriu nuk do të gjejë qetësi

* * *

Është e padrejtë që gjithë ajo çfarë po ndodh në veri të vlerësohet vetëm në raport me marrëdhëniet me SHBA-të, ashtu siç po bëjnë partitë opozitare. Në përpjekje për t’u treguar sa më “proamerikanë”, opozitarët po abstrahojnë gjendjen e rëndë në atë pjesë që tash e më shumë

se dy dekada kontrollohet nga banditë e kontrabandistë.

Përpjekjet për të vendosur rend e ligj kudo në Kosovë – përfshirë edhe veriun, janë përpjekje legjitime të institucioneve demokratike të një shteti. Tjetër çështje është se çfarë mund të jenë pasojat dhe si do të reflektohen ato.

Amerikanët vazhdimisht kanë përmendur nevojën për rend e ligj në mbarë territorin e Kosovës.

Për veriun, drojë ka qenë dhe vazhdon të mbetet situata e brishtë e sigurisë, provokimi i së cilës mund të sjell pasoja.

Në funksion të ruajtjes së një qetësie të brishtë, përkatësisht të një situate të sigurisë në limitet e përkeqësimit të mëtejmë, duhet kuptuar edhe kërkesat për shtensionim që vijnë nga amerikanë, europianë dhe nga NATO.

Është jo e lehtë që insitucionet kosovare të tërhiqen nga veprimet e veta. Pyetje thelbësore është: a don të thotë kjo dorëzim përpara bandave dhe strukturave shtetërore të Beogradit, të cilët shkaktuan dhunë në veri? Nëse tërheqja e Prishtinës ndodh pa asnjë benefit, pyetje tjetër thelbësore është: pse u desh të ndërmerren veprime të tilla?

Andaj, një politikë e përgjegjshme ofron zgjidhje që qetëson situatën, sipas rekomandimeve të aleatëve por, njëkohësisht, bind të gjithë se ka të drejtë në veprimet e veta.

Institucionet kosovare duhet t’ua dëshmojnë qytetarëve të rëndomtë në veri se nuk janë kundër tyre, se ata duhet t’i gëzojnë të drejtat që iu takojnë dhe se të gjitha problemet duhet të zgjidhen me dialog.

Forcat speciale përpara ndërtesave civile të komunave s’janë pamje e këndshme. Kryetarët do të duhej që të shkojnë në punë pa përcjellje policore. Por, përpara duhet dhe mund të ecet edhe duke marrë parasysh kërkesat e amerikanëve. Ka mjaft hapësirë për zgjidhje kreative – nevojitet vullnet politik.