Policia e Kosovës ka njoftuar se në Gjilan gjatë javës së fundit për shkak të parregullsive të ndryshme kanë përjashtuar nga komunikacioni 13 motoçikleta, janë shqiptuar 36 gjoba ndaj ngasësve të motoçikletave dhe shqiptimi i masës së ndalim drejtimit të mjeteve motorike për 5 ngasës.
Në njoftim thuhet se kujdesi dhe përgjegjësia gjatë ngasjes së motoçikletave janë të domosdoshme për të parandaluar aksidentet dhe Policia ka ndarë disa këshilla.
Njoftimi i plotë:
Zero tolerancë për të gjithë drejtuesit e motoçikletave që bien në kundërshtim me ligj
Gjilan, 20 maj 2025
Me përmirësimin e kushteve të motit është vërejtur rritjen e përdorimit të motoçikletave dhe mjeteve të ngjashme në rrugët tona. Me qëllim të ngritjes së sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në trafik, është e rëndësishme të ndjekim disa udhëzime dhe këshilla për kujdes gjatë ngasjes së motoçikletave.
Kujdesi dhe përgjegjësia gjatë ngasjes së motoçikletave janë të domosdoshme për të parandaluar aksidentet, andaj:
1. Përdorimi i pajisjeve mbrojtëse: Gjithmonë përdorni helmetë të përshtatur mirë, pajisje të tjera mbrojtëse si xhaketa, dorezat, mbrojtëset e gjunjëve etj. janë po ashtu të rëndësishme për të minimizuar dëmtimet në rast të aksidenteve.
2. Kontrolli i motoçikletës: Para çdo udhëtimi, kontrolloni gjendjen e motoçikletës tuaj. Sigurohuni që dritat, frenat, gomat dhe sistemi i drejtimit janë në gjendje të mirë pune.
3. Respektimi i rregullave të trafikut: Respektoni gjithmonë sinjalizimet dhe rregullat e trafikut. Mos ngisni me shpejtësi të lartë dhe respektoni kufizimet e shpejtësisë. Kujdesuni që të jeni të dukshëm për shoferët e tjerë, veçanërisht gjatë natës ose në kushte të këqija të motit.
4. Ngasja e sigurt dhe e përgjegjshme: Mbani distancën e duhur nga mjetet e tjera dhe mos bëni manovra të rrezikshme. Kujdesuni që të jeni të fokusuar dhe të mos përdorni telefonin ose pajisje të tjera gjatë ngasjes. Gjithashtu, shmangni ngasjen nëse jeni të lodhur ose nën ndikimin e alkoolit apo substancave të tjera.
Njësitet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan në kuadër të zbatimit të planit operativ ‘’Siguria në trafikun rrugor’’ vetëm gjatë javës së fundit për shkak të parregullsive të ndryshme kanë përjashtuar nga komunikacioni trembëdhjetë (13) motoçikleta, janë shqiptuar tridhjetë e gjashtë (36) gjoba ndaj ngasësve të motoçikletave dhe shqiptimi i masës së ndalim drejtimit të mjeteve motorike për pesë (5) ngasës.
Policia e Kosovës në rajonin e Gjilanit do të ketë zero tolerancë ndaj të gjithë drejtuese të motoçikletave të cilët bien ndesh me ligjin për rregullat në trafikun rrugor.