string(45) "izraeli-kryen-sulme-te-reja-ne-jug-te-libanit"

Lajme

Gazeta Express

11/06/2025 20:31

Izraeli kryen sulme të reja në jug të Libanit

Lajme

Gazeta Express

11/06/2025 20:31

Izraeli ka vazhduar të kryejë sulme ajrore në jug të Libanit. Të mërkurën, gjatë një sulmi ajror izraelit në një qytezë në jug, u vra një person, tha Ministria e Shëndetësisë së Libanit.

Sulme të ngjashme Izraeli kreu edhe një ditë më parë, pavarësisht armëpushimit të arritur në nëntor të vitit të kaluar.

“Gjatë sulmit të kryer nga Izraeli me dronë në qytezën Beit Lif, u vra një person dhe u plagosën tre të tjerë”, u tha në njoftimin e ministrisë.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban raportoi se sulmi shënjestroi oborrin e një shtëpie në këtë qytezë, duke shtuar se predha goditi veturën e pronarit të shtëpisë.

Izraeli rregullisht bombardon Libanin, pavarësisht armëpushimit të arritur në nëntor, i cili i dha fund më shumë se një viti armiqësish me Hezbollahun, përfshirë edhe dy muaj lufte në shkallë të plotë.

Hezbollahu është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka në listën e zezë krahun ushtarak të grupit libanez, por jo edhe partinë politike.

Marrëveshja e armëpushimit kërkon që luftëtarët e Hezbollahut të tërhiqen në veri të lumit Litani, që ndodhet rreth 30 kilometra larg kufirit izraelit, dhe të shkatërrojnë të gjithë infrastrukturën ushtarake që kanë në jug të Libanit.

Marrëveshja po ashtu kërkon që Izraeli të tërheqë të gjitha trupat nga Libani. Por, pavarësisht kësaj, Izraeli ka mbajtur ushtarë në katër pozicione, të cilat i konsideron “strategjike”. /REL