Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për nda dy muaj pesë të dyshuarve D.R., F.Q., Sh.K., D.M. dhe R.B., nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale “Veprimet përgatitore për vrasje të rëndë”.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve D.R., R.B., SH.K., F.Q., dhe D.M., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 21.03.2025 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurve D.R., R.B., SH.K., F.Q., dhe D.M., iu vazhdohet në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, konfirmoi Gashi.
Ndryshe, Prokuroria Special më 21 shkurt njoftoi se janë arrestuar pesë të dyshuarit në një operacion policor nga hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë.
“Operacioni policor ka rezultuar me arrestimin e pesë persona të dyshuar: D.R., R.B., SH.K., F.Q., dhe D.M. të cilët me vendim të prokurorit nga PSRK janë ndaluar për 48 orë. Gjatë zhvillimit të operacionit policor është zbatuar urdhër-kontrolli që është kryer në gjashtë lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë të cilat do të përdoreshin për kryerjen e veprave penale si: granata dore, pushkë, revole dhe municion i kalibrave të ndryshëm. Përveç kësaj janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e lendes narkotike, telefona celular si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve”, thuhej në njoftim.