Ish-trajneri i Tottenham Hotspurit, Ange Postecoglou, është rikthyer në futboll me një rol të ri prestigjioz tek UEFA.
60-vjeçari u pa në “Anfield” për detyrën e tij të parë të rëndësishme, duke analizuar eliminimin e Liverpoolit nga Paris Saint-Germaini në Ligën e Kampionëve.
Postecoglou është emëruar zyrtarisht si “UEFA Technical Observer”, një rol analitik i nivelit të lartë që synon të ndihmojë në identifikimin e trendeve taktike në futbollin modern europian.
Ai nisi detyrën në janar 2026, duke iu bashkuar një paneli elitar ku bëjnë pjesë edhe Gareth Southgate, Roberto Martinez dhe Ole Gunnar Solskjaer.
Për detyrën e tij të parë, ai u rikthye në “Anfield” – stadiumi i klubit që ka mbështetur që në fëmijëri – për të analizuar ndeshjen e kthimit çerekfinale të Championsit mes Liverpoolit dhe PSG-së.
Edhe pse ndeshja përfundoi me humbje 0-2 për “The Reds”, raporti i tij teknik nxori në pah disa elemente pozitive në mbrojtje.
Në analizën e tij, Postecoglou shpjegoi qasjen taktike të Liverpoolit nën drejtimin e Arne Slot.
“Qasja e Liverpoolit ishte që të ruanin formën e tyre, por brenda saj të kalonin në markim njeri me njeri sapo niste presingu. Dallimi kryesor është se nuk bëhej fjalë për një markim strikt individual, por për një kombinim me elemente zonale, ku lojtarët merrnin kundërshtarët që ndodheshin në zonën e tyre”, shpjegoi ai.
Prania e tij në tribuna shkaktoi reagime të menjëhershme në rrjetet sociale nga tifozët e Liverpoolit, sidomos duke marrë parasysh simpatinë e tij të hershme për klubin dhe presionin aktual mbi trajnerin Slot.
Megjithatë, UEFA theksoi se vizita ishte thjesht profesionale dhe pjesë e detyrave të tij zyrtare.
Raporti i Postecoglou do të jetë pjesë e analizës teknike zyrtare të sezonit 2025-26 nga UEFA, duke ofruar të dhëna dhe ide për trajnerët në gjithë Europën mbi mënyrën se si ekipet më të mira po evoluojnë taktikisht në ndeshjet vendimtare./GazetaExpress/