Ish-bossi i Formula 1 bëhet baba në moshën 89-vjeçare - Gazeta Express

Ish-bossi i Formula 1 bëhet baba në moshën 89-vjeçare

Rozë

Gazeta Express

02/07/2020 13:25

Bernie Ecclestone, ish-bosi i Formula 1, është bërë baba për herë të katërt në moshën 89-vjeçare.

Bashkëshortja e tij Fabiana Flosi 44 vjeç solli në jetë anëtarin më të ri të familjes, djalin Ace.“The Sun” raporton se lindja zgjati vetëm 25 minuta.

Çifti po qëndron në shtëpinë e tyre në Zvicër. I sapolinduri Ace është djali i parë i miliarderit. Nga martesat e mëparshme, Bernie Ecclestone ka 3 vajza.Ish-bosi i Formula 1 ka grumbulluar një pasuri prej 3.1 miliardë dollarë nga përfshirja në garat e makinave.

Bernie Ecclestone ka lindur në Suffolk të Britanisë në vitin 1930. Ai është djali i një peshkatari. 89-vjeçari filloi punë për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore në një industri gazi dhe detyra e tij ishte të kontrollonte pastërtinë dhe cilësinë e gazit.

Në vitin 1949 mori pjesë për herë të parë në garat me makina në Formula 3. Përfshirja në një aksident e detyroi atë që të tërhiqej nga garat në pistë. Bernie u angazhua në investime në prona, të cilat rezultuan të suksesshme. Pas kësaj, u angazhua në Formula 1 duke marrë rol menaxheri.

Ecclestone u përfshi në pronësinë e Formula 1 deri në vitin 1978, deri kur u bë drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve, të cilën e kishte themeluar vetë në vitin 1974.