Teksa udhëheqësit e NATO-s përgatiten për samitin e rëndësishëm të 7-8 korrikut në Ankara, në mes të luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe tensioneve të ripërtërira në Lindjen e Mesme, ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), James Gilmore, thotë se aleanca po kalon nëpër një transformim të vështirë, por që në fund do ta forcojë atë dhe se nuk po hynë në një periudhë të dobësimit.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, James Gilmore, i cili shërbeu gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, Donald Trump, argumenton se presioni i Trumpit ndaj aleatëve evropianë ka përshpejtuar ndryshimet, këmbëngul se Ukraina “nuk mund të lejohet të dështojë” dhe thotë se NATO mbetet e domosdoshme si për sigurinë e Evropës, ashtu edhe për interesat kombëtare të SHBA-së.
Radio Evropa e Lirë: Po i afrohemi një samiti që shumëkush e përshkruan si një nga samitet më të rëndësishme të NATO-s në vitet e fundit. Presidenti Trump ka bërë thirrje vazhdimisht për një partneritet më të balancuar transatlantik. Nga këndvështrimi i SHBA-së, çfarë do të tregonte se ky raport po bëhet më i barabartë – jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në atë strategjik?
James Gilmore: Së pari, jam shumë optimist për të ardhmen e NATO-s dhe për të ardhmen e botës. Është e vërtetë se po ndodh një rivendosje. Le ta shohim situatën e NATO-s në mënyrë realiste. Aleanca është zgjeruar me anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë. Kur shërbeja si ambasador – madje edhe më herët, kur isha ushtar i vendosur në Gjermani – askush nuk e mendonte se Suedia dhe Finlanda do t’i bashkoheshin NATO-s.
Kërkesat e presidentit që vendet anëtare të NATO-s të bëjnë më shumë për mbrojtjen e tyre dhe të rrisin shpenzimet për mbrojtje po zbatohen. Kjo do të marrë shumë kohë, gjë që tregon pse presidenti këmbënguli për këtë që në fillim, por ato vende do të shpenzojnë më shumë.
Dhe, Rusia po krijon sërish një moment uniteti për vendet e NATO-s sepse Moska përbën një kërcënim. Kjo është pjesë e asaj që unë e shoh si një lufte globale që po zhvillohet aktualisht.
Besoj se vendet evropiane të NATO-s janë disi të pasigurta për mënyrën se si vepron presidenti Trump, por sipas mendimit tim, rezultati përfundimtar i gjithë kësaj është shumë pozitiv.
Radio Evropa e Lirë: Ju argumentoni se presioni i presidentit Trump tashmë po jep rezultate. Teksa udhëheqësit mblidhen në Ankara, a besoni se Evropa e ka pranuar se duhet të marrë përsipër një pjesë më të madhe të barrës për sigurinë e saj, apo Uashingtoni ende po kërkon më shumë sesa Evropa është e gatshme të ofrojë?
James Gilmore: Pikë së pari, Uashingtoni nuk po kërkon ndonjë shifër të caktuar. Nuk besoj se ky është mesazhi që po përcillet. Ajo që po thuhet është se shtetet e NATO-s duhet të jenë të përgatitura për të mbrojtur veten. Nuk mendoj se deri më tani është sugjeruar që SHBA-ja do të tërhiqet nga NATO-ja ose do të heqë dorë nga roli i saj udhëheqëse në aleancë.
Po zhvillohet një proces i përshtatjes, por edhe një herë, jam i bindur se aleanca do t’ia dalë shumë mirë.
Sinqerisht, për një pjesë të madhe të kësaj duhet ta falënderojmë presidentin rus, Vladimir Putin, për shkak të agresionit të tij fashist ndaj Evropës dhe kërcënimeve të tij kundër shteteve të Baltikut, Polonisë dhe vendeve të tjera. Ai po krijon një shtysë të fuqishme drejt unitetit dhe kohezionit më të madh brenda NATO-s.
Radio Evropa e Lirë: Ju e përshkruani agresionin e Rusisë si forcën që po bashkon NATO-n. Duke iu kthyer çështjes së Ukrainës, si do të dukej realisht suksesi në rrethanat e sotme dhe çfarë roli duhet të vazhdojnë të luajnë Shtetet e Bashkuara?
James Gilmore: Një pjesë e madhe e kësaj varet nga vetë Ukraina – sa shumë mund t’i përballojë sulmet dhe vuajtjet e shkaktuara nga kriminelët e luftës në Moskë. Por, thënë këtë, Putin nuk duhet të lejohet të ketë sukses në Ukrainë.
Ukrainasit kanë zhvilluar disa nga metodat më moderne të luftimit me dronët e tyre. Ata po godasin Rusinë brenda territorit të saj, diçka që Putini nuk e kishte pritur kurrë. Ata po e izolojnë Krimenë. Ka pasur një kohë kur shumë njerëz mendonin se humbja e Krimesë nga Rusia ishte një fakt i kryer. Sot, kjo nuk është më e vërtetë. Mendoj se gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur.
Është për keqardhje që po përballemi me këtë konflikt, sepse besoj se Evropa është e rëndësishme për sigurinë e SHBA-së. Por, SHBA-ja po e bën të qartë se nuk mund të përfitohet në kurriz të saj dhe mendoj se ky është ndryshimi pozitiv që po ndodh tani, teksa vendet e NATO-s po marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre.
Radio Evropa e Lirë: Kjo ngre edhe çështjen se kush do ta mbajë barrën në kuptimin afatgjatë. Disa argumentojnë se Evropa duhet të marrë tani përgjegjësinë kryesore për sigurinë e Ukrainës, ndërsa Shtetet e Bashkuara ta përqendrojnë më shumë vëmendjen te përparësitë e tjera globale. A është ky ekuilibri i duhur, apo rrezikon të dobësojë parandalimin ndaj Rusisë?
James Gilmore: Në fakt, ju po bëni dy pyetje. Anëtarët evropianë të NATO-s tashmë kanë marrë rolin udhëheqës në mbështetjen e Ukrainës. Ata po blejnë armë amerikane, po furnizojnë edhe armët e tyre dhe po i dërgojnë këto kapacitete në Ukrainë.
Armët janë të rëndësishme, por të jem i sinqert edhe më i rëndësishëm është mesazhi i vendeve evropiane se ato nuk do të lejojnë pushtimin rus sepse e dinë se kush do të jetë caku i radhës. Caku mund të jetë një ose më shumë vende anëtare evropiane të NATO-s.
Sa i përket SHBA-së, është e vërtetë se Amerika ka përgjegjësi dhe përballet me rreziqe në shkallë globale.
Por, lufta në Evropë është e rëndësishme sepse dërgon një mesazh të fuqishëm edhe në rajonin e Paqësorit se pushtimi, agresioni dhe krimet e luftës nuk do të tolerohen nga bota e qytetëruar. Ky është një mesazh i rëndësishëm.
Do të shtoja po ashtu se besoj që konflikti në Lindjen e Mesme është bërë në njëfarë mënyre një shpërqendrim nga ajo që unë e shoh si frontin kryesor të këtij konflikti global. Arenat kryesore janë Evropa dhe rajoni i Paqësorit.
Radio Evropa e Lirë: Ju e përshkruani Lindjen e Mesme si një shpërqendrim nga ajo që e konsideroni teatrin kryesor të këtij konflikti global. Megjithatë, tensionet atje vazhdojnë të konkurrojnë për vëmendjen e NATO-s. Si mund ta shmangë aleanca që një krizë të mos e dobësojë përqendrimin e saj ndaj një krize tjetër?
James Gilmore: Kriza në Lindjen e Mesme është shumë reale për shkak të rrezikut që Iran të marrë nën kontroll Ngushticën e Hormuzit dhe për shkak të çështjes ende të pazgjidhur të ambicieve bërthamore të Iranit. Këto janë sfida serioze.
Por, sipas meje, ato janë po ashtu një shpërqendrim nga konflikti në Evropë, i cili mbetet konflikti më aktiv dhe më i rëndësishëm në ditët e sotme.
SHBA-së dhe NATO-s i duhet një strategji që mbron sigurinë e Evropës, duke trajtuar njëkohësisht edhe çështjet ende të pazgjidhura në Lindjen e Mesme.
Radio Evropa e Lirë: Sa i përket kësaj çështjeje, udhëheqësit e NATO-s pritet të trajtojnë edhe ambiciet bërthamore të Iran, duke riafirmuar njëkohësisht përkushtimin e tyre ndaj mbrojtjes kolektive. A e forcojnë këto mesazhe paralele unitetin e aleatëve, apo rrezikojnë ta shpërndajnë vëmendjen strategjike të aleancës?
James Gilmore: Jo, nuk mendoj se ato e shpërqendrojnë aspak fokusin e NATO-s. Samiti duhet të riafirmojë përkushtimin e anëtarëve evropianë të NATO-s për të mbrojtur veten dhe njëri-tjetrin.
Kur isha ushtar i stacionuar në Gjermani në vitet ‘70, e gjithë Evropa Lindore ishte nën kontrollin sovjetik. Shikoni ku jemi sot: Polonia, Romania, Bulgaria, Republika Çeke, Lituania, Letonia, Estonia… Tani këto vende janë të lira dhe pjesë e Perëndimit. Aty do të duhet të përfundojë edhe Ukraina.
Ukraina nuk do të bjerë sërish nën pushtimin rus. Kam qenë atje. Kam biseduar me ukrainasit. Ata e dinë se çfarë do të ndodhte nëse Rusia do të kishte sukses. Ata e dinë se do të pasonin masakra në shkallë të gjerë nëse Rusia do të përpiqej ta gllabëronte Ukrainën. Nuk besoj se kjo do të ndodhë. Përkundrazi, besoj se Ukraina do ta fitojë këtë luftë.
Radio Evropa e Lirë: Gjatë gjithë kësaj bisede keni argumentuar se NATO-ja forcon sigurinë e vetë Amerikës, jo vetëm të Evropës. Në një kohë kur disa amerikanë e vënë në pikëpyetje vlerën e aleancës, cili është argumenti më i fortë për vazhdimin e rolit udhëheqës të SHBA-së?
James Gilmore: Teksa Shtetet e Bashkuara shënuan 250-vjetorin e pavarësisë së tyre më 4 korrik, besoj se Amerika mund të vazhdojë të ofrojë jo vetëm udhëheqje ushtarake dhe financiare, por edhe udhëheqje morale.
Pavarësisht se çfarë mund të mendojë kushdo, ky shtet vazhdon të përfaqësojë lirinë dhe të drejtat themelore. Ai mbetet një fener. Prandaj besoj se Amerika duhet të vazhdojë ta udhëheqë NATO-n dhe sinqerisht, të vazhdojë të ketë një rol udhëheqës edhe në nivel global. Ne kemi aleatë besnikë në mbarë botën.
Presidenti Trump ndonjëherë thotë dhe bën gjëra që unë personalisht nuk do t’i bëja dhe që mund t’i zhgënjejnë aleatët tanë. Por, nga përvoja ime aleatët e Amerikës vazhdojnë t’i respektojnë Shtetet e Bashkuara dhe vlerat që ato përfaqësojnë. /REL