Ministri i Jashtëm i Iranit i ka dënuar sulmet e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit, duke paralajmëruar se ato do të kenë “pasoja të përjetshme”, raporton CNN.
“Ngjarjet e mëngjesit të sotëm janë të tmerrshme dhe do të kenë pasoja të përjetshme”, tha Abbas Araghchi në një postim në X, duke shtuar se Irani “rezervon të gjitha opsionet për të mbrojtur sovranitetin, interesat dhe popullin e tij”.
“Shtetet e Bashkuara, një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kanë kryer një shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së, ligjit ndërkombëtar dhe Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) duke sulmuar instalimet paqësore bërthamore të Iranit”, shkroi ai.
Irani ka kaluar dekada duke zhvilluar programin e tij bërthamor dhe e sheh atë si një burim krenarie kombëtare dhe sovraniteti. Ai ka këmbëngulur se programi është vetëm për qëllime paqësore të energjisë.
Centralet bërthamore kërkojnë një lëndë djegëse të quajtur uranium – dhe sipas agjencisë bërthamore të OKB-së, asnjë vend tjetër nuk ka llojin e uraniumit që ka aktualisht Irani pa pasur gjithashtu edhe një program armësh bërthamore. Kjo i ka ushqyer dyshimet se Irani nuk është plotësisht transparent për qëllimet e tij.