Prokurori i shtetit ka iniciuar rast për “Pengim të personit zyrtar” ndaj biznesmenit Sali Devolli.
Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.
“Nuk është arrestu sepse i njëjti i është përgjigjur thirrjeve të stacionit policor. Kanë kaluar 20 ditë nga ajo kohë, rrethanat nuk janë për me mujt me ndiku në dëshmitarë ose me u përsëritë vepra penale. Për këtë arsye, me vetëiniciativë, prokurori ka hapur rast për veprën penale në fjalë”, tha Nikçi.
Inicimi i rastit ndaj Devollit është bërë pas transmetimit të hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” me titull “Policia e Pejës “hesht” rastin e biznesmenit Devolli”.
Ndryshe, për këtë rast janë ndaluar për 48 orë Prekë Tuna, shef i Sektorit të Operativës në Stacionin Policor në Pejë, dhe Nexhat Gutiq, shef i Sektorit Rajonal për Operativ në Pejë, me aktvendim të Prokurorisë Themelore në Pejë. Të dy eprorët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Hulumtimi i “Betimi për Drejtësi” ka zbardhur të gjitha detajet e rastit që çuan në arrestimin e dy eprorëve dhe biznesmenit Devolli, dhe hedh dritë mbi mosveprimet e zyrtarëve të Policisë në Pejë.
Po ashtu, sipas raporteve policore të siguruara nga “Betimi për Drejtësi” dhe deklaratave të zyrtarëve përgjegjës, ndonëse, jo i përfshirë në aksident, Sali Devolli u përfshi në këtë rast, i cili çoi deri në arrestimin e tij dhe përfundoi me shqiptim të një gjobe për kundërvajtje për “prishje të rendit dhe qetësisë publike”, dhe pa u njoftuar apo proceduar rasti në Prokurorinë Themelore në Pejë.
Hulumtimi ngrit dyshime serioze për ndërhyrje të mundshme në procedurë të rastit dhe shmangie nga detyrat zyrtare nga eprorët dhe zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Pejë.
Të shtunën, ndalimi Tunajt dhe Gutiqit, është konfirmuar nga prokurorja Valbona Disha – Haxhosaj.
“Prokuroria Themelore në Pejë është e përkushtuar të zbardhë të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të siguruar drejtësi. Nuk do të tolerojmë asnjë shkelje të ligjit, pavarësisht nga pozita apo funksioni i të dyshuarve”, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj.
Prokuroria ka konfirmuar se ka ndërmarrë veprime pasi ka marrë informacionin nga “Betimi për Drejtësi”.
“Emailin e parë e kemi pranuar përmes një emaili nga ‘Betimi për Drejtësi’, me ç’rast i gjithë ky rast ka rezultuar si pasojë e kësaj informate dhe deri më tani dy persona janë të arrestuar,” ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Prokuroria Themelore në Pejë dhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët për medie të shtunën, duke bërë të ditur se dy zyrtarët policorë janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas komunikatës, hetuesit e IPK-së kanë vepruar në koordinim të plotë dhe me autorizim të Prokurorisë së Pejës, duke ndërmarrë veprime hetimore intensive, përfshirë intervistimin e të dyshuarve dhe personave të përfshirë në rast.
Rasti, i cili ka ndodhur më 28 maj, është hulumtuar zyrtarisht nga “Betimi për Drejtësi” që nga 3 qershori, ndërsa IPK është njoftuar më 9 qershor, ku pastaj, sipas detyrës zyrtare, ky institucion ka filluar procesin e grumbullimit të informacioneve dhe ka kërkuar nga Policia e Kosovës një kopje të dosjes së rastit.