Zyrtarë të lartë të Iranit do të takohen më 25 korrik në Stamboll me homologët nga Britania, Franca dhe Gjermania për të diskutuar mbi programin bërthamor iranian.
Ky takim vjen në një kohë kur Evropa ka rritur presionin ndaj Teheranit për të arritur një marrëveshje dhe për të shmangur rivendosjen e sanksioneve.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, tha për Reuters se bisedimet do të zhvillohen në nivel të zëvendësministrave të Jashtëm. “Si përgjigje ndaj kërkesave të shteteve evropiane, Irani është dakorduar për të zhvilluar rundin e ri të negociatave,” deklaroi Baghaei për televizionin shtetëror iranian.
Kryediplomati iranian Abbas Aragchi konfirmoi gjithashtu se punimet për organizimin e takimit po vazhdojnë. Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 (JCPOA) parashikon që në rast të moszgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Iranin, mekanizmi i sanksioneve të Kombeve të Bashkuara mund të aktivizohet nga Këshilli i Sigurimit.
Vendet e “E3” paralajmërojnë se do të rivendosin sanksionet ndaj Teheranit përmes këtij mekanizmi deri në fund të gushtit, nëse bisedimet me SHBA-në nuk rifillojnë ose nuk sjellin rezultate. Shtetet perëndimore akuzojnë Iranin për ndërtim të armëve bërthamore, një akuzë që Teherani e mohon fuqishëm.