Pas raportimeve se inteligjenca amerikane beson se Izraeli po përgatitet për sulm ndaj objekteve bërthamore iraniane, Garda Revolucionare e Iranit ka paralajmëruar Izraelin duke thënë se “çdo sulm do të marrë përgjigje shkatërruese dhe vendimtare”.
Sipas mediave shtetërore iraniane, Reuters raporton se zëdhënësi i Gardës, Alimohammad Naini, ka thënë se “Izraeli po gabon rëndë”.
“Ata përpiqen të na trembin me luftë, por po gabojnë rëndë, sepse nuk janë të vetëdijshëm për mbështetjen e fuqishme popullore dhe ushtarake që Republika Islamike mund të mobilizojë në kushte lufte,” raportohet të ketë thënë ai.
Teherani dhe Uashingtoni do të zhvillojnë të premten në Romë raundin e pestë të bisedimeve për çështjen bërthamore, mes përplasjeve të forta për pasurimin e uraniumit nga Irani – një çështje që SHBA e konsideron si rrugë të mundshme drejt ndërtimit të bombës bërthamore. Megjithatë, Irani mohon vazhdimisht që programi i tij të ketë qëllime ushtarake, duke këmbëngulur se është për qëllime civile.
Ndërkohë, sa i përket raportimit për një sulm të mundshëm izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit, nuk është e qartë nëse liderët izraelitë kanë marrë një vendim përfundimtar.
Kujtojmë se, Irani dhe Izraeli kanë shkëmbyer zjarre drejtpërdrejt edhe më parë, veçanërisht në prill dhe tetor të vitit të kaluar, duke rritur kështu rrezikun për një konflikt të gjerë rajonal.