Federata e Futbollit e Iranit i ka kërkuar FIFA-s të ndalojë çdo simbol të ylberit dhe çdo aktivitet të lidhur me komunitetin LGBTQ+ gjatë ndeshjes së Kupës së Botës 2026 kundër Egjiptit, e cila do të zhvillohet më 26 qershor në Seattle.
Komiteti organizativ lokal kishte planifikuar që kjo sfidë, e cila përkon me muajin e Krenarisë (Pride Month), të shoqërohej me aktivitete të organizuara nga grupe të jashtme në mbështetje të komunitetit LGBTQ+. Megjithatë, pasi shorti vendosi që përballja Iran-Egjipt të zhvillohej pikërisht në atë datë, Federata iraniane reagoi zyrtarisht duke kërkuar ndërhyrjen e FIFA-s.
Sipas raportimit të The Athletic, Irani i ka dërguar një letër FIFA-s duke kërkuar që të mos lejohen flamujt me ngjyrat e ylberit dhe simbolet e lidhura me këtë lëvizje brenda stadiumit. Federata argumenton se duhen respektuar vlerat dhe besimet fetare të dy vendeve pjesëmarrëse.
“Federata e Futbollit e Republikës Islamike të Iranit e merr këtë çështje shumë seriozisht dhe ia ka bërë të qartë qëndrimin e saj FIFA-s. Irani dhe Egjipti janë dy vende myslimane me vlera dhe bindje të përbashkëta, ndaj besojmë se nuk duhet të ketë ceremoni apo aktivitete promovuese të kësaj lëvizjeje brenda stadiumit apo si pjesë e ambientit të ndeshjes”, thuhet në deklaratën e një zëdhënësi të kombëtares iraniane.
Sipas të njëjtit burim, edhe Federata e Futbollit e Egjiptit i ka bërë të ditur FIFA-s qëndrimin e saj për këtë çështje.
Nga ana tjetër, raporti i The Athletic thekson se FIFA do të vazhdojë të lejojë praninë e flamujve dhe simboleve të ylberit në të gjitha ndeshjet e Kupës së Botës 2026.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ndërkohë ka sqaruar se ndeshja nuk do të ketë status zyrtar si “Pride Match”.
“Nuk do të ketë një ‘Pride Match’ në Kupën e Botës. Do të zhvillohet një ndeshje e Kupës së Botës në Seattle dhe, në të njëjtën ditë, organizata të jashtme do të mbajnë aktivitete në qytet. Këto nuk kanë lidhje me vetë ndeshjen”, deklaroi Infantino.
Deri më tani, FIFA nuk ka publikuar një përgjigje zyrtare ndaj kërkesës së Iranit, megjithëse më herët ka theksuar se Kupa e Botës është një aktivitet gjithëpërfshirës. /GazetaExpress/