Irani ka kërcënuar me ndalimin e transportit detar në Gjirin Persik, Detin e Kuq dhe Gjirin e Omanit nëse vazhdon bllokada detare e SHBA-së
Ali Abdollahi, komandanti i Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya të Iranit, komanda më e lartë operative që koordinon forcat e armatosura të vendit, ka thënë se nëse SHBA vazhdon bllokadën dhe krijon “pasiguri për anijet tregtare dhe tankerët e naftës të Iranit”, kjo do të “përbënte një parathënie të shkeljes së armëpushimit”.
Abdollahi shton se forcat e armatosura iraniane, si pasojë, nuk do të lejojnë që “asnjë eksport apo import të vazhdojë në Gjirin Persik, Detin e Omanit dhe Detin e Kuq”.
Ai nuk specifikoi se cilat vende mund të preken nga këto eksporte dhe importe, megjithëse hapësirat ujore që përmendi mbulojnë një zonë shumë të gjerë.
Bllokada detare e SHBA-së ndaj porteve iraniane filloi të hënën. Të mërkurën, ushtria amerikane tha se “asnjë anije nuk e kaloi bllokadën” në 24 orët e para, me gjashtë anije tregtare që u detyruan të kthehen mbrapsht në Gjirin e Omanit, shkruan BBC.
Rundi i parë i negociatave mes Iranit dhe SHBA-së dështoi – megjithëse Donald Trump thotë se bisedimet mund të rinisin brenda dy ditëve të ardhshme. Irani ende nuk e ka konfirmuar.