Irani ka kërkuar nga SHBA që të japin garanci se do të heqin sanksionet ndaj vendit, si kusht për arritjen e një marrëveshjeje bërthamore, pas raportimeve se Shtëpia e Bardhë i ka dërguar një propozim “të pranueshëm”.
Sipas një diplomati Iranian, Reuters raporton se Teherani është gati të refuzojë propozimin, pasi e ka cilësuar ofertën si një “pikënisje të pavlefshme” që nuk merr parasysh interesat e Teheranit dhe nuk shfaq asnjë ndryshim në qëndrimin amerikan ndaj çështjes së ndjeshme të pasurimit të uraniumit.
“Irani po harton një përgjigje negative ndaj propozimit të SHBA-së, e cila mund të interpretohet si refuzim i ofertës amerikane,” ka thënë për agjencinë Reuters një diplomat i lartë pranë ekipit negociator iranian.
Kjo deklaratë shënon një kthesë tjetër negative në përpjekjet për të ringjallur bisedimet bërthamore, të cilat janë tensionuar gjithnjë e më shumë pas njoftimeve për rritjen e pasurimit të uraniumit nga ana e Iranit dhe për shkak të mungesës së garancive konkrete nga ana e SHBA-së mbi heqjen e sanksioneve.
Bisedimet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara mbi programin bërthamor të Teheranit janë zhvilluar që nga prilli, dhe ky propozim i Uashingtonit erdhi pas një raporti të rrjedhur të OKB-së që zbulonte se Irani kishte rritur prodhimin e uraniumit të pasuruar në nivele të larta.
Megjithatë, ky raport është kundërshtuar nga Irani, duke paralajmëruar se do të hakmerret nëse fuqitë evropiane — të cilat kanë kërcënuar me rikthim të sanksioneve bërthamore — e “shfrytëzojnë” këtë dokument.
Kujtojmë se SHBA, Izraeli dhe vendet perëndimore e kanë akuzuar Iranin, i cili vazhdimisht ka deklaruar se synon shkatërrimin e Izraelit, për përpjekje për të prodhuar armë bërthamore — një akuzë që Teherani e mohon në mënyrë të përsëritur, duke këmbëngulur se uraniumi i pasuruar i nevojitet për prodhimin e energjisë civile.
Të shtunën mediat amerikane raportuan se Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar Iranit një ofertë që e cilësojnë si “në interesin më të mirë” të Teheranit. Sipas The Neë York Times, duke cituar zyrtarë të njohur me këto shkëmbime diplomatike, propozimi i SHBA kërkon që Irani të ndalojë plotësisht pasurimin e uraniumit dhe sugjeron krijimin e një grupimi rajonal për prodhimin e energjisë bërthamore.
Irani ka zhvilluar pesë raunde bisedimesh me Shtetet e Bashkuara në përpjekje për të arritur një marrëveshje të re që do të zëvendësonte atë të vitit 2015, nga e cila u tërhoq presidenti Trump në mandatin e tij të parë në vitin 2018.