Irani akuzohet se po krijon raketa balistike me kapacitet bërthamor - Gazeta Express
string(67) "irani-akuzohet-se-po-krijon-raketa-balistike-me-kapacitet-berthamor"

Irani akuzohet se po krijon raketa balistike me kapacitet bërthamor

Gazeta Express

05/12/2019 21:55

Irani po zhvillon raketa balistike me kapacitet bërthamor duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, denoncojnë Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca në një letër të përbashkët për sekretarin e përgjithshëm të OKB-së.

Ambasadorët e këtyre vendeve në OKB, i kërkojnë, përmes kësaj letre, sekretarit të përgjithshëm, Antonio Guterres të informojë Këshillin në raportin e tij të ardhshëm, që aktiviteti i Iranit përsa i përket raketave balistike është i papajtueshëm me rezolutën e Këshillit që ka miratuar marrëveshjen bërthamore me Iranin në 2015.

Lexo Edhe:

“Kjo letër është një gënjeshtër e dëshpëruar për të fshehur paaftësinë e tyre të mjerueshme në përmbushjen e minimumit të detyrimeve të tyre”, reagoi në Twitter Mohammad Javad Zarif, ministri iranian i Punëve të Jashtme.

“Nëse këto tre vende kërkojnë të kenë një minimum besueshmërie globale, mund të fillojnë të ushtrojnë sovranitetin në vend që të përkulen para presioneve amerikane”, theksoi ai.

Kjo rezolutë, kujtojnë tre fuqitë, parashikon që Irani të mos kryejë asnjë aktivitet që lidhet me raketat balistike të konceptuara për të mbajtur armë bërthamore, duke përfshirë këtu edhe të shtënat duke përdorur teknologjinë e raketave balistike.

SHBA-ja, që u tërhoq nga marrëveshja për programin bërthamor iranian në 2018, akuzon Iranin se po përpiqet të zhvillojë raketa me kapacitet bërthamor, gjë që iranianët e hedhin poshtë.