Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hyrë në fazën finale. Derisa më pak se një javë na ndajnë nga dita e tyre, veçse është bërë edhe më i paparashikueshëm emri i kreut të Shtëpisë së Bardhë për katër vitet e ardhshme. Kamala Harris, 60-vjeçare, synon të bëhet presidentja e parë grua, ndërsa Donald Trump, 78 vjeç, që kërkon mandat edhe një herë, do të bëhej kandidati më i moshuar që fiton garën. Sondazhet vazhdimisht kanë pasur luhatje, e fushata është përcjellë me një gjuhë të vrazhdë nga të dy palët. Sidoqoftë, pavarësisht kë nxjerr fitues 5 nëntori, udhëheqësi i ri i superfuqisë botërore ka përpara një situatë jo fort të zakonshme në rrafshin global.
Lidhur me gjithë kampanjën elektorale dhe programet e kandidatëve e gjasat e tyre për fitore, Gazeta Express ka bashkëbiseduar me aktivistin dhe investitorin shqiptar në ShBA, Uk Lushi. Përtej prognozave e rezultateve, kjo intervistë sjell edhe një këndvështrim interesant për konsekuencat që prodhon fitorja e secilit kandidat për globin, e me theks të veçantë për atë se çka e pret rajonin e Ballkanit, e veçmas Kosovën.
Intervistoi: Shkodran Hoti
Pak ditë na ndajnë nga procesi elektoral që ka vëmendjen globale, Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Presidenciale 2024 në ShBA, të cilat po konsiderohen si më të paparashikueshmet dekadave të fundit. Sondazhet nxjerrin kandidatët Trump dhe Harris shumë afër njëri-tjetrit. Por duke ditur rolin përcaktues të atyre që njihen si shtetet federale “të lëkundura” apo me elektorat të larmishëm, çfarë mund të presim rreth fituesit të tyre?
Lushi: E vërtetë. Zgjedhjet janë të Amerikës, mirëpo ato kanë efekte planetare për shkak të rolit primar botëror të ShBA-së si fuqia kryesore ekonomike, ushtarake dhe (gjeo)politike e botës.
Kryetari i Amerikës nuk zgjedhet nga shumica e votave të popullit, por nëse fiton 270 apo më shumë vota nga 538 vota të Kolegjit Elektoral, të cilin e përbëjnë 50 shtete dhe Washington DC respektivisht distrikti i kryeqytetit.
Amerika është republikë kushtetuese. Shumica e shteteve kanë mazhorancë që e voton ose Partinë Demokratike ose Republikane dhe këto shtete ia japin ose njërës ose tjetrës parti dhe të gjitha votat e Kolegjit Elektoral i shkojnë kandidatit partiak që fiton shumicën brenda shtetit. Mirëpo, për shkak të faktorëve të shumtë dhe flukseve të ndryshme, prej atyre demografike e deri te ato ideologjike, janë një duzinë shtetesh shumica votuese e të cilave ndryshon përcaktimin prej zgjedhjeve në zgjedhje.
Këto shtete, që ju shumë mirë i quajtët “të lëkundura”, në Amerikë njihen si “swing states”. Herë votojnë për Demokratët e herë Republikanët. Të tilla shtete në Zgjedhjet 2024 konsiderohen Arizona, Georgia, Michigan, Nevada, North Carolina, Pennsylvania dhe Wisconsin. Të shtatat bashkarisht kanë vlerë 93 vota të Kolegjit Elektoral, prandaj këto shtete do të përcaktojnë më së shumti kush do të jetë në Shtëpinë e Bardhë prej 20 janar 2025 deri më 20 janar 2029.
Sa u përket sondazheve, ato kanë provuar disa herë që janë barometër mashtrues. Momentalisht tregjet ku vihen baste me para të vërteta dhe përkrahja për Trump nga shtresa të shumta të popullit dhe njerëz të dijshëm dhe fuqishëm si Elon Musk, Howard Lutnick, Bill Ackman dhe indirekt Bill Gates, Jeff Bezos apo Jamie Dimon japin indikacione të forta që fitues do të jetë Trump. Polymarket p.sh. tregon që Trump udhëheq 67 me 33 kundër Harris.
Deri në kandidimin e Kamala Harris nga kampi i Demokratëve, sikur merrej punë e kryer rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Përse i ndryshoi kaq shumë matematikat kandidimi i Harris dhe pse mes Demokratëve s’pati zëra kundër kandidimit të saj?
Lushi: Presidenti Biden ka kohë që ka treguar tatëpjetë serioze në gjykime dhe aftësi për shkak të moshës dhe mbase shëndetit (mendor). Partia Demokratike provoi të fshihte këtë fakt, por e vërteta doli lakuriq në televizor gjatë Debatit Presidencial Trump-Biden më 27 qershor 2024. Arusha nuk mund mbulohej me shoshë më.
Trump në ndërkohë kishte fituar besimin e shumicës së votuesve në primaret e Republikanëve duke mundur të gjithë konkurrentët pa marrë fare pjesë në fushatë. Ai kishte filluar të forcohej poashtu ngase shumë amerikanë po shihnin që Administrata Biden dhe shteti mbase po përdornin gjykatat për të hequr qafe një oponent politik të vështirë.
Më 13 korrik 2024 ish-Presidenti Trump nuk u ekzekutua për një qime floku në Bethel Park nga atentatori Thomas Matthew Crooks. Kjo e çoi krejt Amerikën peshë.
Në ndërkohë kandidimi i Biden për rizgjedhje kishte futur procesin elektoral partiak në fazë nga ku nuk kishte kthim. Establishmenti partiak ndërhyri dhe “detyroi” Presidentin Biden të tërhiqej nga garimi, pa çka që ishte investuar pa konsideruar askënd tjetër përpos plakut të ndërliksur Biden. Shumë njerëz në Amerikë këtë e konsiderojnë si puç partiak, por ka mjaft që e paraqesin si veprim fisnik përmes të cilit Biden vendosi partinë mbi veten.
Sfidat legale, politike dhe logjistike për të bërë garë brenda partisë ishin shumë të mëdha dhe Demokratët vendosën të vihen në rresht pas Vice-Presidentes Harris, të cilës “i ra shi në kallamoq” sepse p.sh. në vitin 2019 kur ajo kishte konkurruar kundër Bidenit, ajo kishte fituar më pak se 3% të votave të Demokratëve në primare.
Partia Demokratike dhe sponzorët e saj, veçanërisht nga show-bizi, Hollywoodi dhe grupe tjera të interesit, kthyen krejt energjinë dhe infrastrukturën në shërbim të fitores së “kalit të ri” në garë.
Megjithatë, Trump nuk po dorëzohej dhe nuk do të mundej lehtë, prandaj Harris u bë alternativa e vetme që ndoshta do të funksionojë. Kur s’ka shi, bën edhe breshër.
Ambiciozët e partisë nuk reaguan zëshëm sepse nuk ishte momenti. Nga ta ka plot që do t’i gëzohen humbjes së Harris, sepse humbja e eliminon atë nga konkurrenca presidenciale në zgjedhjet e ardhshme.
Se a i ka ndryshuar matematikat Harris do të merret vesh kur të kryhen zgjedhjet dhe numërohen votat më 5 nëntor.
Kjo fushatë zgjedhore, pak a shumë sikur edhe në zgjedhjet e fundit, në fokus kryesisht ka pasur ekonominë, imigracionin, krimin, abortin dhe politikën e jashtme. Në vështrimin tuaj, si kanë qëndruar gjatë fushatës dy kandidatët karshi këtyre temave? Nëse mund ta konkretizojmë më shumë, ku janë shfaqur më bindës Harris dhe Trump në këto çështje?
Lushi: I keni ranguar shkëlqyeshëm temat për nga rëndësia që u japin votuesit amerikanë. Ekonomia dhe inflacioni janë shqetësimi parësor i shumicës dërmuese të qytetarëve në ShBA.
Stimulansi monetaro-fiskal gjatë dhe pas pandemisë së Covid-it nuk kishte si të mos shkaktonte një inflacion të paparë për gati 50 vite. Deficiti buxhetor dhe rritja e borxhit nacional janë pasoja tjera të politikave që bazohen në shtypjen e parave dhe shpërndarjen e vitrave shtetërore pa incentiva. Administrata Biden-Harris, për arsye ideologjike, ka bërë rishpërndarje të të ardhurave dhe falje të borxheve personale si fjala vjen huatë për shkollim të studentëve në miliarda dollarë. Kësi veprimesh, që efektivisht janë blerje votash, natyrisht që shkaktojnë inflacion dyshifror dhe tautologjikisht varfërim, më së shumti të shtresave të vobekëta.
Imigracioni është temë e rëndësishme por e fryer, kryesisht nga Trump dhe Republikanët. Amerika e ka sistemin e imigracionit të rrëzbitur dhe me probleme. Përgjegjësia për këtë u bie si Demokratëve si Republikanëve, por më shumë këtyre të dytëve.
Amerika ka nevojë për imigrantë dhe ata janë një ndër faktorët kyç pse Amerika është e fortë demografikisht dhe ekonomikisht. Por nuk ka asnjë dyshim që sistemi do reformim të thellë prej vetingut të imigrantëve deri te integrimi dhe amerikanizimi i tyre.
Trump si mjeshtër i populizmit e ka shfrytëzuar numrin e madh të imigrantëve që kanë hyrë, legalisht e ilegalisht, në Amerikë katër vitet e Biden-Harris si mjet propagandistik dhe kjo ka funksionuar në disa shtresa të popullatës amerikane.
Tashmë po duket qartë, politika gati kudo në botë është bërë më shumë emocionale sesa profesionale apo programatike. Trend tragjik dhe i rrezikshëm ky gjithandej. Kjo ka ngjarë edhe në Amerikë dhe kjo haset posaçërisht te aborti. Venerohet edhe në tema tjera.
Sidoqoftë, nëse jam i sinqertë, nuk ka plane të detajuara nga asnjëri kandidat: as për ekonomi, as për imigracion, as për sigurimet shëndetësore. Mirëpo Trump, si biznesmen dhe investitor, e kupton dhe di si të menaxhojë ekonominë shumë më mirë se Harris. Është mu kjo aftësi dhe eksperienca biznesore e Trump që mund t’i sjellin atij fitoren kurse Harris humbjen më 5 nëntor.
Përballja e dy kandidatëve është përcjellë edhe nga një gjuhë me ngjyrime jo fort të zakonshme për atë çka jemi mësuar ta shohim në politikën amerikane. Harris nuk ka kursyer edhe akuzën “fashist” për kundërkandidatin, gjersa Trump prej kohësh veçse është i njohur për vulgaritetin e tij në paraqitjet publike?
Lushi: E ceka më herët: gjuha e fortë, populiste dhe zjarrndezëse në politikë ka pushtuar krejt planetin.
Në botën shqiptare kemi shembull konkret gjuhën e egër të VV-së dhe Albin Kurtit, para se të hipte në fronin e pushtetit dhe prej aty kur i volit dhe ka nevojë të ushqejë militantët e territ partizan. Në disa aspekte retorike dhe strategjike mund të thuhet që Trump është një lloj Albin Kurti manipulativ apo anasjelltas.
Çfarë unë e kundroj si më të çuditshme dhe çfarë dëshmon që Trump është refleksioni dhe simptoma e sëmundjes së dekadencës dhe degradimit të establishmentit politik në Amerikë, është fakti që kastat politike janë edhe të frikësuara edhe të trulluara dhe kanë filluar të bëhen më shejtane se Trump në retorikë dhe veprime. Trump është bërë Zeitgeist i periudhës historike që po jetojmë.
Kur Harris akuzon Trump për fashist ajo në thelb akuzon mbi 100 milionë amerikanë që përkrahin Trump si të tillë.
Mirëpo as Trump nuk qëndron fort më mirë në fyerje, ofendime dhe akuza.
Absurde dhe për të të ardhur keq që skena politike amerikane ka rënë kaq poshtë në nivel civiliteti.
Nuk është hera e parë në historinë e ShBA-së, por lajmi i mirë është që Amerika del prej këtyre qarqeve vicioze më shpejt se demokracitë tjera, pikësëpari sepse populli është patriotik dhe i edukuar demokratikisht, dhe, në fund të fundit, kur bëhet e domosdoshme, amerikanët dinë të vendosin atdheun mbi mospajtimet dhe sharjet banale më mirë se çdo popull tjetër.
Kandidimi i Trump herën e parë, ishte cilësuar edhe si rrezik për botën. Megjithatë, mandati i tij i si president s’kishte prodhuar aq shumë të papritura në rrafshin global, siç ishte tentuar të krijoheshin pritjet. Sidoqoftë, edhe sot ai vlerësohet si një politikan jokonvencional, veçmas nëse marrim parasysh qasjen e tij skeptike ndaj organizatave si NATO, por edhe qëndrimin e tij karshi agresionit rus në Ukrainë?
Lushi: Trump nuk është politikan profesionist, mirëpo Amerika ka pasë në krye jopolitikanë disa herë. Amerika është shtet me institucione dhe kuadro profesionale administrative, të cilat bëjnë politika dhe strategji me inteligjencë dhe llogaritje precize afatmesme dhe afatgjate. Amerika ka ndarje balancuese të pushteteve, atij ekzekutiv, legjislativ dhe judikativ. Presidenti në ShBA ka fuqi të jashtëzakonshme, por jo të pakontrollueshme.
Faktet dëshmojnë që Presidenti Trump, për katër vite në pushtet, nuk bëri asnjë luftë, gjë jo e shpeshtë në mandatet e presidentëve tjerë.
Evidenca provon diçka tjetër nga shumë sulme, shumë shpesh pa bazë, që i bëhen Donald J. Trump. Ai është bombastik, ndonjëherë i padurueshëm në ekzagjerime dhe retorikë, mirëpo ky është stili i tij. Kjo vërehet edhe te fjalët e tij për NATO-n.
Sidoqoftë, si Trump si Amerika e dinë fort mirë që NATO është organizatë e mirë, interes edhe amerikan dhe ajo duhet të forcohet.
Shumica e vendeve të NATO-s kanë bërë pikërisht ato që u kërkonte Trump, ngritjen e shpenzimeve dhe investimeve ushtarako-mbrojtëse, sidomos në teknologji dhe AI. Zhvillimet në Ukrainë dhe botë i kanë dhënë të drejtë Presidentit Trump, na pëlqeu ai apo jo.
Një fitore e mundshme e Trump, a mund të sjellë ndryshime sa i përket marrëdhënieve ndër-atlantike. A ka vend që Evropa të trembet nga kjo?
Lushi: Europa nuk ka çka trembet. Euro-Amerika është e njëjta kështjellë, e cila në themel ka vlera të mëdha si liria, progresi ekonomik, intelektual dhe njerëzor kurse në bedenet e saj ka interesat e përbashkëta euro-amerikane si siguria dhe paqja. Nuk ka rëndësi kush fiton Shtëpinë e Bardhë— Europa do të jetë partnere e ShBA-së dhe ato të dyja, bashkë me pjesën tjetër të botës së lirë, do të përqëndrohen më shumë në Azi (Jug-Lindore) ku po graviton qendërzimi i ri gjeopolitik dhe gjeoekonomik i rruzullit, e padyshim edhe në Afrikë dhe Jugun Global.
Mirëpo Europa duhet të përgatitet të paguajë për siguri. Amerika e mbulon buxhetin dhe masat ushtarake të NATO-s me 90% të kontributeve. Kjo ka qenë e palejueshme që taksapaguasit amerikanë të paguajnë pjesën e madhe të luanit kurse europianët të sodisin në qetësi.
Ka qenë mjaft e bujshme deklarata e Trump se do t’i jepte fund luftës Rusi-Ukrianë për 24 orë, duke mos lënë anash edhe konstatimin se kjo luftë është çështje evropiane. Çka nënkupton kjo dhe cilat janë pritjet e juaja?
Lushi: Presidenti Trump është më shumë poetik se sa prozaik në të shprehurit e tij publik. Nuk ka dilemë që edhe ai vetë e di që lufta Rusi-Ukrainë nuk mund dhe nuk do të mbyllet për 24 orë.
Me sa kam unë informacione, nëse Trump fiton, ai dhe njerëzit e tij, që janë ekspertë të politikës së jashtme, janë të gatshëm të marrin pjesë në një Konferencë Paqeje në Ankara të Turqisë, dikur pjesën e parë të vitit 2025.
Përndryshe bën lajthitje kush mendon që Trump do t’i bëjë lëshime vitale Putinit apo Rusisë. Amerika dhe Europa tashmë kanë inkuadruar në NATO Suedinë dhe Finlandën. Çështja e Ukrainës do të zgjidhet konform konturave të arkitekturës së sigurisë në Euro-Azi.
Nëse Putin nuk pranon paqen, Trump do të armatosë me vrull Ukrainën dhe do të kërkojë nga aleatët që të mbështesin Ukrainën edhe më fort se deri tani.
Lufta e Ukrainës ka ndryshuar epokën. Ajo teknologjinë dhe armatimin e ka ngritur në nivel tjetër historik. Ka një tejkalim revolucionar si kur shpatat u hodhën dhe lufta filloi të bëhej me artileri dhe aeroplanë. Amerika dhe Perëndimi janë shumë para Rusisë në aplikimin e AI, dronëve, armëve në hapësirë dhe kozmos si dhe luftës së mençur. Shpikjet e reja në mbrojtje dhe armë që do të dalin nga Amerika do të jenë marramendëse dhe të papara ndonjëherë. Mbrojtja dhe lufta do të bëhet edhe nga planete tjera brenda pak dekadash.
Po në Lindjen e Mesme, cili do të jetë roli i Trump?
Lushi: Edhe aty Trump ka në plan paqen. Marrëveshjet e Abrahamit janë fëmijë të ngjizur dhe të lindur nga Trump dhe rrethi i tij. Në Lindje të Mesme do të ketë riaranzhim më të butë, nëse Irani dorëzon iluzionet për hegjemoni, dhe, më të vrazhdë, nëse jo. Kina në Lindje të Mesme do të vëzhgohet dhe pengohet të mos zgjerohet në ndikim përtej interesave ekonomike që ka nisur t’i stacionojë në sektorin e naftës dhe energjisë. Izraeli do të përkrahet pa asnjë rezervë.
Krejt në fund, nëse rrethanat krijohen, pushteti i Trump mund të provojë të zgjidhë edhe problemin e arabëve palestinezë.
Pashmangshëm zgjedhjet në ShBA, vëmendje të veçantë marrin edhe në Kosovë. Madje edhe liderët e vendit s’janë kursyer të rreshtohen, në këtë rast përkundër Republikanit Trump. Sjellim në vëmendje përkrahjen e ish-kryeministrit Hashim Thaçi për Hillary Clinton, e sidomos mbështetjen krejtësisht të drejtpërdrejtë të kryeministrin Kurti për Joe Biden. Ky i fundit edhe në këto zgjedhje mori pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike. Si e shihni ju këtë pozicionim?
Lushi: Nuk më duket që zgjedhjet amerikane 2024 kanë pasur vëmendjen e duhur te shqiptarët në Ballkan. E kam fjalën për faktorët politik në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup.
Ky është një gabim kardinal strategjik që patjetër që do të kushtojë.
Gabimet që u patën bërë nga Hashim Thaçi dhe Edi Rama më 2016 vetëm sa janë bërë më të rënda nga kryeministri Kurti.
Pjesëmarrja e Albin Kurtit si udhëheqës shteti në Konventën Partiake të Demokratëve në Chicago, në gusht 2024, ishte gabim amator dhe i pafalshëm. Të njëjtën do ta thoja nëse një lider shtetëror në Kosovë apo Shqipëri do ta bënte me Konventën e Republikanëve.
Lidhja e shqiptarëve është me Amerikën dhe popullin amerikan, pavarësisht kush është në pushtet. Shqiptarët në Amerikë dhe në Ballkan kanë lidhje me të dy partitë amerikane, por lideri i shtetit përfaqëson shtetin dhe jo partinë.
Kurti duke vepruar si një riosh dhe me këtë naivitet ka ndikuar edhe në përçarjen e komunitetit shqiptar në ShBA.
Çka nëse nuk fiton Harris?! Por çka edhe nëse fiton?! Administrata Biden-Harris nuk ka bërë gati asgjë për Kurtin.
Po të fitojë Harris, truri i saj kryesor për Ballkanin do të jetë Phil Gordon, i cili ka dekada që ka kaluar në Ballkan por ku janë rezultatet e tij?!
Një tjetër që flitet kuloareve se ndofta do të jetë Sekretar Shteti i Harris është Senatori Chris Murphy, mik i shqiptarëve por i cili e ka vënë Kurtin nën presion vazhdimisht duke e drejtuar gishtin drejt tij dhe duke e quajtur “një kokëfortë” ndërkaq që ka drekuar e darkuar shpesh me Presidentin Vuçiq dhe ka ngrënë shumë premtime të rrejshme nga vozhdi i Beogradit.
Sipas meje, politika e Kosovës nuk është pozicionuar si duhet në dualitetin e zgjedhjeve amerikane. Nuk duhet kushedi sa dhunti për këtë punë: Presidenti Rugova mund të merret si model – ai gjithëherë kultivonte marrëdhënie bipartizane në ShBA, si me Demokratët si me Republikanët.
A vjen një pozicionim i tillë nga një skpeticizëm që ekziston në Kosovë ndaj figurës së Trump? Sikur ka një përshtypje se ardhja e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë shkon në favor të Serbisë, ani pse mandati i tij i parë nuk e ka dëshmuar këtë. Madje, njohjen e fundit që e ka Republika e Kosovës daton nga ajo periudhë dhe realisht vjen pas një marrëveshjeje që u arrit në prezencë të tij mes Kosovës e Serbisë?
Lushi: Në arealin shqiptar ka më keq se skepticizmi kundrejt Presidentit Trump. Ka pasë dhe ka demonizim. Ky piketim i pamençur ka filluar me Përfaqësuesin Special të Presidentit Trump, Grenell, por është aplikuar edhe të të dërguar të Presidentit Biden si fjala bie Escobar dhe Chollet.
Kjo frymë gjoja bullizuese dhe sjellje infantile anti-amerikane duhet të përfundojë. Albin Kurti e ka për detyrë të urdhërojë ithtarët e tij të ndalin kësi sulmesh diskualifikuese dhe të rrezikshme ndaj funksionarëve amerikanë. Lukunitë e ujqërve shqiptarë që u bien politikanëve amerikanë nëpër media sociale nuk i shërbejnë Kosovës, por Serbisë.
Presidenti Trump i ka sjellur personalisht Kosovës njohjen e Izraelit. Presidenti Trump ishte ai që realizoi edhe ngritjen e statusit të FSK-së në ushtri. Ka edhe të mira tjera që Trump ka bërë për shqiptarët.
Në Kosovë ka një mjegulli të pashpjegueshme për strategjinë e politikës amerikane, por Amerika ka një politikë konsistente që e do Serbinë të ndryshojë kurs dhe të largohet së pretenduari se ajo mund të ulet në tri karrige: BE, Rusi dhe Kinë.
Kjo politikë është ftilluar diku kah viti 2011 nga Hillary Clinton dhe atëherë Zv. Presidenti Biden. Pra është politikë e Demokratëve më shumë se sa e Republikanëve.
Ndryshimet e kurseve gjeopolitike nuk ndodhin brenda nate. Kjo sigurisht që është frustruese për shqiptarët dhe Kosovën. Sidoqoftë, është absurde të konkludohet që kjo strategji e bën Amerikën pro Serbisë dhe kundër Kosovës.
Jam krejt në rregull që elitat politike në Prishtinë të mos i thonë vetëm po as Amerikës, ama është çmenduri të kujtohet që Amerika ka interesa vetëm për dhe në Kosovë. Duhen gjetur modus vivendi dhe modus operandi me Amerikën dhe Serbinë bazuar në zhvillimet dhe konditat hapësinoro-kohore, natyrisht edhe duke dhënë propozime konkrete dhe të guximshme nga ana e Kosovës. Këtë nuk e kemi parë shumë në Kosovë tash e 25 vite e aspak katër vitet e pushtetit absolutist parlamentar dhe qeveritar të Kurtit.
Kur je shtet i vogël dhe nën suzerenitetin e një fuqie sponzorizuese duhet të jesh kreativ dhe pragmatik. Aventurizmi dhe konfrontimi mund të të rrezikojnë ekzistencën.
Përtej interpretimeve të politikës ditore, cila prisni të jetë e ardhmja e raporteve Kosovë-Serbi nëse Harris do të jetë presidente apo nëse Trump rizgjidhet edhe një herë?
Lushi: Ka një kornizë të përgjithshme euro-amerikane si piramidë për Ballkanin. Në maje të saj është siguria apo paqja me çdo kusht. Përfundi majës është stabiliteti, i cili duhet të jetë në funksion të pajtimit gradual panballkanik dhe i cili nevojitet për vendosjen e Ballkanit në brazdën e integrimit dhe zhvillimit ekonomik. Më poshtë vijnë tematika tjera ku ka hapësirë të bëhet shumë në qoftë se ke elita të mençura dhe të shpërdhinjta.
Vështruar nga kjo perspektivë mund të konkludohet që nuk ka rëndësi se kush fiton. Megjithatë kush do të jetë në Shtëpinë e Bardhë do të bëjë diferencën në aspektin e shkundjes së status quos që ka pllakosur Ballkanin gjatë Administratës Biden-Harris.
As Biden si Zv.President i Obamës, as si President, e as Harris si Zv.Presidente, për 12 vite, nuk kanë bërë ndonjë penetrim mbreslënës në Dialogun Kosovë-Serbi. E mos të flasim për Bosnjën ku ka përkeqësim shqetësues.
Në anën tjetër, po qe se Trump rizgjidhet, dhe varësisht si shkojnë punët me mbylljen e luftës Rusi-Ukrainë, ai dhe ekipet e tij mund të sjellin shkundje dhe energji të re, çfarë eventualisht mund të rezultojë në ndryshime më të mëdha.
Sido që të jetë, duhet të kuptohet nga ballkanasit që Ballkani nuk është në rrethin e parë të temave me të cilat do te preokupohet politika e jashtme amerikane dhe as Presidenti i Amerikës. Së këndejmi, më së miri është që pritjet të mos jenë iluzore dhe ndoshta ka ardhë koha që ide dhe plane të rrjedhin nga vetë Ballkani.
Një gjë mund ta them me konfidencë megjithatë: nëse Serbia gabon dhe rrezikon sigurinë, qoftë në Kosovë apo Bosnje, ajo do të penalizohet pamëshirshëm për këtë.
Lidhur me këtë, mund të themi se në Kosovë ekzistojnë pritje që me ardhjen e Trump në krye të ShBA-së, mund të rikthehet në tavolinë edhe ideja e shkëmbimbit të territoreve? A mendoni se ekziston kjo hapësirë?
Lushi: Është abuzuar dhe manipuluar shumë me gjoja idenë e shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës. Për arsye perfide të politikave ditore dhe partiake.
Me sa kam unë dijeni ajo ka hyrë në mënyrë formale në Departamentin e Shtetit më shumë si qëmtim akademiko-diplomatik përmes A. Wes Mitchell kah mesi i vitit 2017 kur ai u betua si Ndihmës-sekretar i Shtetit për Europë dhe Euroazi.
Pastaj ka pasur një shtytje pranuese nga John Bolton, Këshilltar për Siguri Nacionale i Presidentit Trump.
Sigurisht që kjo ide-projekt është diskutuar dhe shqyrtuar për dy-tri vite, më shpesh si spekulim dhe më rrallë si plan, edhe nga shumë persona, me fuqi e pa fuqi, mirëpo plani i Presidentit Trump, ishte ajo që u bë publike si Marrëveshja e Washingtonit më 4 shtator 2020.
Siç dihet botërisht, ajo marrëveshje ishte kryekëput me themel ekonomik dhe në fakt Kosova përfitoi dhe ka mundur të përfitonte akoma më shumë nëse do të shkohej në shtegun e saj në vend se hullia që u vendos të zgjedhej nga Albin Kurti dhe Besnik Bislimi dhe e cila na ka sjellë një Marrëveshje Bazike dhe Aneksin e Ohrit, secila më e keqe se tjetra.
Unë mendoj që nëse rikthehet Presidenti Trump, (ndonëse është politikan transakcional dhe në thelb krejt politika e jashtme është e tillë kudo në botë), ai përsëri fundament të çdo angazhimi të tij do ta ketë ekonominë dhe përdorimin e institucioneve financiare amerikane për investime makro-rajonale në miliarda dollarë si kredi, hua të buta dhe investime direkte të jashtme.
Nëse fiton Presidentja Harris, ajo do të vazhdojë me kërkesat për Asociacionin dhe presionin për zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazike kryesisht nga Kosova. Kjo gjithsesi edhe për shkak se Demokratët duan t’ua lënë Serbinë dhe Kosovën në duar Gjermanisë, Francës dhe BE-së.
Sipas meje gjithmonë është më mirë kur Amerika është direkt e inkuadruar në Dialogun Kosovë-Serbi dhe në çdo proces në Ballkan. Pa Amerikën ka zhagitje. Me Amerikën në proces ka lëvizje.
Shkurt e trup, ideja për ripërkufizim apo shkëmbim nuk ka qenë dhe nuk është e mundur në këtë fazë ku dhe si janë marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe vetëm ndonjë tronditje e madhe gjeopolitike mund të ndryshojë gjërat.
Tash për tash, ShBA e ka cak integritetin e Kosovës, mbrojtjen si është dhe forcimin e saj, Kjo mund të thuhet si për Presidenten Harris si për Presidentin Trump.
Veç kësaj, në Kosovë ka edhe nga ata që presin se me Trumpin president mund të ketë zhvillime dramatike edhe sa i përket Gjykatës Speciale? A është ekzagjerim të pretendohet kjo?
Lushi: Jo nuk është ekzagjerim. Gjykata Speciale është mbështetur dhe është shtyer nga europianët si kompromis për Rusinë dhe Serbinë si dhe më së shumti nga Demokratët në Amerikë.
Për arsye më shumë politike dhe globale se sa për drejtësi, Presidenti Trump dhe këshilltarët e tij e kanë parë Gjykatën Speciale më shumë të dëmshme se sa të dobishme për drejtësinë dhe proceset.
Gjykata Speciale nuk do të mbyllet edhe nëse fiton Presidenti Trump, porse ajo do të mbikqyret më me vëmendje nga Departamenti i Drejtësisë së ShBA-së dhe, sipas të gjitha gjasave, do të transferohet nga Haga në Prishtinë dhe një ditë do të jetë Gjykatë kundër Krimeve të Luftës vetëm e Kosovës ku do të duhej të ndiqeshin penalisht edhe pjestarë të etnive joshqiptare që kanë bërë krime lufte në Kosovë ose kundër Kosovës.
Si pjesëtar i Diasporës Shqiptare në ShBA prej vitesh dhe një personalitet jashtëzakonisht aktiv brenda komunitetit shqiptar në ShBA, a mund të na flisni më shumë për pozicionimin e shqiptarëve në këtë proces elektoral?
Lushi: Shqiptarët e Amerikës, (shumica absolute), janë njerëz të lirë dhe kanë mësuar pavarësinë individuale. Nuk çajnë kryet për ndikime nga parti apo liderë demagogë. Votojnë duke dëgjuar ndërgjegjen, vullnetin dhe interesin e tyre, familjes dhe komuniteteve ku jetojnë. Nuk e kanë problem as të ndryshojnë votën për partinë që nuk ka mbajtur premtimet dhe ua ka vështirësuar jetesën, punën apo shkollimin e fëmijëve.
Shqiptarët e duan Amerikën sepse ajo na ka dhënë shumë si individë dhe kombit shqiptar kudo. Shumica e shqiptaro-amerikanëve janë mishëruar me demokracinë dhe lirinë amerikane dhe nuk e shohin tjetrin qe voton ndryshe si armik.
Si komunitet jemi munduar gjithmonë të mbajmë lidhje edhe me Demokratët edhe me Republikanët. Fatkeqësisht politikanët shqiptarë nga Ballkani shpesh na kanë dëmtuar këtë strategji të artë dhe në vend se të na ndihmojnë të përdorim krejt peshën tonë kanë bërë ndarje duke punuar vetëm me grupe dallkaukësh që kanë interesa meskine apo biznesore në shtetet tona në Ballkan apo me pjestarë të komunitetit që janë vanitozë.
Megjithatë duhet të thuhet që si komunitet nuk jemi angazhuar si e sa duhet të hyjmë në qarkun e Presidentit Trump. Nëse ai fiton, siç pritet, fatura do t’u shkojë (pu)shteteve tona në Ballkan sepse ato zgjodhën të jenë pyka që kanë çarë komunitetin në ashkla ndërkaq që e kanë detyrë të na bashkojnë.
Kurrë nuk është vonë të mësohet as nga gabimet. Ashtu-kështu nuk ka mbetur më shumë se një javë të marrim vesh kush fiton, por një gjë është e sigurt— Amerika do të fitojë patjetër. Natyrisht nëse është mjaftueshëm e mençur që vota të jetë deçizive dhe të mos fillojë ndonjë kontestim i zgjedhjeve që do të ishte një makth i vërtetë.
Që kjo të mos ndodhë, edhe shqiptarët e Amerikës kanë rëndësi dhe rol të madh. Sidomos në shtetet Michigan, Wisconsin dhe Pennsylvania ku shqiptarët me numrat e tyre kanë peshë të jashtëzakonshme.
Bota dhe politika ka ndryshuar. Amerika po ndryshon. Ka mbetur të ndryshojmë edhe ne shqiptarët. Sa më shpejt sa më mirë!
Shënim: Uk Lushi është ekonomist dhe aktivist shqiptar që vepron në ShBA. Ai është i diplomuar në Columbia University të Nju Jorkut. Ka qenë pjesë e UÇK-së dhe ka botuar edhe librin “Shqiptaro-amerikanët e UÇK-së – Kronikë e Batalionit Atlantiku