Dhoma e ulët e kuvendit indian e ka miratuar legjislacionin kundërthënës që ua jep të drejtën e shtetësisë pakicave fetare të vendeve fqinje, por jo edhe myslimanëve. Ky veprim ka nxitur pakënaqësi dhe protesta.
Sipas ndryshimeve të ligjit për shtetësi, pakicat kombëtare të hindusëve, budistëve, të krishterëve dhe disa grupeve të tjera, të cilët janë të përndjekur për shkak të fesë në Afganistan, Pakistan dhe Bangladesh, mund ta fitojnë shtetësinë indiane.
Këtë ligj e përkrahën 311 deputetë të dhomës së ulët, ndërsa kundër tij votuan 80 të tjerë. Në këtë mënyrë, autoritetet do ta ndryshojnë ligjin për shtetësi, të miratuar në vitin 1995, sipas të cilit imigrantët e huaj nuk kishin të drejtë të aplikojnë për shtetësi indiane.
Organizatat myslimane dhe grupet për të drejtat e njeriut reaguan ndaj këtij vendimi, duke thënë se miratimi i ndryshimeve të ligjit për shtetësinë është pjesë e politikës së kryeministrit Narendra Modi për ta margjinalizuar komunitetin mysliman në këtë vend, i cili përbëhet nga 200 milionë njerëz.
Kryeministri Modi edhe më parë ka marrë vendime kundërthënëse ndaj pakicës myslimane. Nën pushtetin e tij, qytetet me emra myslimanë kanë marrë emra të rinj, ndërsa janë ndryshuar edhe tekstet shkollore për ta nënvlerësuar kontributin e myslimanëve të Indisë në ndërtimin e shtetit.
Në gusht të këtij viti, qeveria indiane ia tërhoqi statusin special të autonomisë rajonit të Kashmirit, i cili është rajoni i vetëm indian me shumicë myslimane, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.