Kreu i PD ka reaguar ndaj spekulimeve për mundësinë e dorëheqjes pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, duke theksuar se nuk ka ndërmend të largohet nga drejtimi i partisë. Gjatë një konference për shtyp, ai u shpreh se kishte dhënë dorëheqjen vetëm kur humbi zgjedhje që nuk i cilësoi si farsë.
“Unë kam menduar dhe e kam bërë realitet atë (dorëheqjen). Kjo pyetje nuk më shtrohet mua dot, se unë kur humba një palë zgjedhje që nuk ishin farsë, unë dhashë dorëheqjen. Dhe një i ri erdhi pas meje. Nuk e zgjodha unë atë, atë e zgjodhi anëtarësia e PD.Pasi u zgjodh, unë e mbështeta sepse unë isha thjesht një anëtar partie luajal i forcës time politike. Por nuk mund të mos thuash se nuk ishte i ri. Ishte i ri”, tha Berisha.
Për të përforcuar qëndrimin e tij se nuk do të largohet pas humbjes së zgjedhjeve në 11 Maj, Berisha tha: “Por pyetja që më bëtë, unë jam njeriu që e kam provuar dhe e kam faktuar. Dhe kam vepruar shumë drejt. Unë nuk udhëhiqem nga paragjykimi. Mendova se një gjeneratë e re do ishte një shans i madh për forcën politike”.
Në të njëjtën konferencë, Berisha denoncoi manipulimin e procesit zgjedhor, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për përdorimin e bandave kriminale në zgjedhjet në Vorë, që sipas tij ndikuan në rezultatin zgjedhor. “Banda e tërë në oborr. Të gjitha, urdhëroni zgjedhjet… Gazetarja me guxim e demaskon, e nxjerr mashtrues, tregon se ai është xhandar aty, xhandar i zgjedhësve”, tha Berisha, duke iu referuar një incidenti të raportuar nga mediat ditën e zgjedhjeve.
Betejën për zgjedhjet e 11 majit, Sali Berisha duhet ta bëjë në parlament edhe me deputetët që nuk garuan apo nuk fituan dot në këtë garë elektorale, e që për herë të fundit do të shkojnë në parlament.