Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Egzon Reshanit, masë e cila do të zgjasë deri më 3 shtator 2026.
Sipas njoftimit të Gjykatës, Egzon Reshani dyshohet për kryerjen e tri veprave penale, dy raste të veprës penale “Detyrimi” në bashkëkryerje, veprën penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” në bashkëkryerje, si dhe veprën penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” në vazhdimësi.
Nga provat e mbledhura deri në këtë fazë të hetimeve, Gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2025, i pandehuri, në bashkëkryerje dhe si pjesë e një grupi të organizuar, ka përdorur kanosjen për të detyruar të dëmtuarin të kryejë veprime në dëm të pasurisë së tij, duke i shkaktuar humbje materiale, si dhe frikë, ankth, pasiguri dhe shqetësim për jetën e tij dhe të familjarëve.
Po ashtu, sipas dyshimeve, gjatë vitit 2025 i pandehuri së bashku me katër persona të tjerë, e ka privuar në mënyrë të kundërligjshme nga liria të dëmtuarin, duke e mbajtur të mbyllur kundër vullnetit të tij.
Ndërkaq, gjatë vitit 2026, ai dyshohet se në intervale të ndryshme kohore ka përdorur forcë, kanosje serioze dhe forma të tjera të detyrimit për të nxitur të dëmtuarin që të mos japë deklarata dhe informacione të vërteta para Prokurorisë, me qëllim të pengimit të procedurës penale.
Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë rrethana që e bëjnë të domosdoshëm paraburgimin. Në arsyetimin e saj thuhet se E.R. kishte qenë në arrati që nga muaji janar 2026 dhe kërkohej si i dyshuar për disa vepra penale, çka krijon rrezik të lartë që, nëse lirohet, të largohet nga Republika e Kosovës për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.
Po ashtu, Gjykata ka theksuar se hetimet janë ende në zhvillim dhe pritet të sigurohen prova të tjera materiale, të dëgjohen i dëmtuari, dëshmitarët dhe të merren deklaratat e të pandehurve. Sipas Gjykatës, ekziston rreziku që i pandehuri, nëse mbrohet në liri, të ndikojë te i dëmtuari për të ndryshuar deklaratat e mëhershme, duke penguar zhvillimin normal të procedurës penale.
Pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve në seancën dëgjimore, Gjykata ka konstatuar se, duke pasur parasysh peshën e veprave penale dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer, vetëm masa e paraburgimit garanton praninë e të pandehurit dhe zhvillimin e papenguar të procedurës penale.