Hyrje në «izm»-ologji - Gazeta Express
string(19) "hyrje-ne-izm-ologji"

Hyrje në «izm»-ologji

OP/ED

Gazeta Express

05/04/2021 12:18

Sa janë logjike, interesante dhe relevante janë leksemat si «rugovizmi», «albinzimi» krahas «marksizmit», «gandizmit», «darvinizmit» apo atyre si «stalinizmi», «enverizmi»? Izmologji shqiptare.

Xhemal Ahmeti

Lexo Edhe:

Në kulturosferën ku banojë unë, ata që dekorojnë emrat me sufiksin «izëm», përqeshen! Prandaj në Talmudin e gjuhës gjermane me titullin «Duden» izmi shpjegohet kështu: «etiketim nënçmues për teori të zhveshura, njëra nga shumet të cilat thirren në emër të disiplinave të ndryshme shkencore, por që s’janë të tilla […]».

Në fjalorët e gjuhëve tjera aktualisht «imperiale» për nga dominimi; nuk qëndron më ndryshe.

Në kultursoferën tjetër ku frymojë unë sidomos nëpërmjet shkronjave «izmi» iu bashkëngjitet njerëzve për të cilët mendohet se pas veti kanë lënë një teori apo veprimtari të bazuar në teorinë e tyre veçantë.

Më të shpeshta leksemë e natyrës që e hasim publicistikës dhe agorave të kësaj gjuhoszone është ajo e «rugovizmit».

Ditëve të fundit na është shfaqur edhe ajo, leksema e «albinizmit».

Madje autorë të këtyre shqipo-leksemave janë njerëz me diploma universitetesh. Situata është edhe më dramatike se kaq: ata paralajmërojnë ngritje institutesh për «izmat» e tyre. Shumica që i përmend këto natyrisht se përçon termin e hasur në letrarinë triviale. 

Them triviale ngase ata që kanë studiuar si duhet shkenca dhe dinë se ç’është «marksizmi», «gandizmi», «darvinizmi» e të llojit nuk e shpallin çdo aktivist politik, poet, politikan «izmak» por gjejnë shprehje tjera.

Pse dhe po ç ‘janë marksizmi, gandizmi dhe darvinizmi? Ato janë «modele [të para, të paqena më parë – v.i.] teorike mbi realitetin», janë teori të cilat me shkrim e me veprimtari [jo vepra të veçanta] vihen suksesshëm në praktikë.

Prandaj nuk quhen utopi. Po ç’është teoria që kushtëzuaka legjitimimin e izmizimit të një subjekti a rryme si të tillë?

II.

Ata që kanë nis studimet e historisë kulturologjike dhe që kanë ngecur tek fjalitë e para mbi parafilozofitë e Platonit, Filipit nga Opusi dhe Aristotelit edhe mund ta përdorin «izmin» për çdo Qime dhe Gjylë që i shkruan ca rreshta ose që e bën një parti, që i bashkohet një lëvizjeje apo që rrethanat e rastisin në një proces që as vetë nuk e kap pse është aty.

I pari, Platoni me teori nënkuptonte stadin e një procesi të njohurive frymore, njohuri të cilat pastaj mund të rezymohen [me fjalorin tonë: të bëhen pastaj teza shkencore, praktike, të implmentueshme qoftë si përshkrim apo si realizim].

Filipi nga Opusi, nxënësi i tij, e kufizoi, «teorinë» duke e trajtuar si metodë të hulumtimit të yjeve për të krijuar empati me Perënditë. Pra ta shohë botën me syrin e Zeusit. E transcendentoi pra termin.

E nxori nga toka. Nxënësi tjetër i Platonit Aristoteli e degradoi edhe më shumë «theoria»-n , [paradoksi: Ati i shumicës së teorive që i mësojmë edhe sot në shkenca të ndryshme] duke e reduktuar në akt kontemplacioni. Sipas së cilit përshkrim çdo budist mund ta shpallim apriori teoricien.

Ky degradim aristotelian [komplet e kundërta e veprës së tij konkrete] u shërbeu bukur pastaj filozofëve mozarabë dhe pastaj patristikës [nga Alberti i Madh, Akuini e deri tek reformacioni i Lutherit] që çdo neospectrum metafizik, ontologjik, (ir)racional […] – kryesisht imitate urtishë e konceptesh kineze, egjiptiane, jonike e pseudogreke – ta shpallin teori. Ristabilizimi megjithatë paralelisht nis me Brunon, Galilein, Kopernikun, Newtonin forcohet me Darwinin, Einsteinin e sot, në të ashtuquajturën postmodernë çdo gjimnazist që interpreton ndryshe nga definicioni që pason bie në provim.

Sot me teori shkencëtari, akademiku, intelektuali nënkupton: «modele shkencore, të siguruara mirë – jo të pagabueshme – mbi realitetet, modele të cilat na ndihmojnë për të shpjeguar dukuritë, veprimet dhe proceset e kësaj bote me synimin për t’i zhvilluar matej ose për t’i rrëzuar duke i zëvendësuar me më të sakta».

III.

Pse i titullojmë shkrimet e Marksit me sufiksin «izëm»? Sepse ishte i pari filozof dhe ekonomist që krijoi një teori të re mbi një formë rendi shoqëror [të huazuar si fabul nga komuniteti i parë krishter] që s’ishte më parë [socializmin pa pjesën e tij utopike të tij: komunizmin].

Teori pra që rezultoi në një sistem. Prandaj sot leninizmi, stalinizmi, enverizmi, titizmi nuk përdoren në letrarinë triviale, ose popular-shkencore për të asociuar teori, por metoda negative pushteti, pra konsumohen në kontekstin negativ, trivial siç e përshkruan izmin fjalori i sotëm gjuhësor i çdo kulturosfere.

Ndryshe është me «Gandizmin», termi asociohet me teori konkrete, fale teksteve dhe veprimeve të themeluesit të saj. Për herë të parë një njeriu i ndezi që nëpërmjet një filozofie të shkruar vetë [Lexo në autobiografinë: «The Story of My Experiments with Truth» 1927], atë të quajturën Satyagraha vuri në lëvizje nëpërmjet «Marshit të Kripës»  [12 mars – 6 prill 1930] një popull të tërë në lëvizje, dhe nëpërmjet metodës së tij pacifiste [për herë të parë në historinë e njerëzimit = pa armë] gjunjëzon njërën nga perandoritë më të fuqishme të kohës duke i sjellë vendit të tij lirinë. Thuhet «Darvinizëm» ngase përherë të parë në historinë e njerëzimit shfaqet një model komplet ndryshe i shpjegimit rreth funksionimit biologjik të gjëve të gjalla.

Si rezultat të këtyre izmave kemi sot në çdo shkencë spektrin neo-, postmarksist e sidomos në ato politike, ekonomike, antropologjike […]. Si rezultat të gandizmit kemi sot vagonë teorish politike që përshkruajnë dhe normëzojnë politika duke përjashtuar dhunën apriori si element adekuat gjatë zgjidhjes së konflikteve. Për shkak të Darvinizmit sot vlojnë teoritë e evolucionit brenda shkencave të ndryshme që mëtojnë të shpjegojnë frymorët e kësaj bote.

IV.

Tash t’u kthehemi «rugovizmave» dhe «albinizmave» të zonës ku jetojnë plisat. Fjalën nuk e shkoqim dot nga fjalori i masave. Këtyre duhet shpjeguar se heronjtë e tyre nuk janë të parët e botës në ndonjë sferë të dijeve apo të veprimit dhe se konform standardeve mbizotëruese shkencore ata mund recipohen si bartës të mundshëm procesesh negative si «stalinizmi», «enverizmi» ose edhe më keq, kur kërkojmë teoritë e tyre dhe studiojmë habitusët mund t’i perceptojnë njerëzit gabimisht baraz me «dandizmin». Gabim ngase që të dy (Rugova dhe Kurti) kanë kontributet e tyre çmuese [varësisht nga perspektiva] brenda çlirimit të Kosovës, një lëvizjeje aq të gjatë dhe me aq shumë akterë si këta dy. E vërtetë: Pati një metodë fantastike, tipike kosovare se si u krijua shteti kosovar, duke thyer si traditën politike të të mëdhenjve ashtu edhe normat ndërkombëtare me «teori» e «praktikë», por kjo para syve të shkencëtarit ende vallëzon si një hipotezë e rrezikshme me shumë hiatuse dhe ndoshta më mirë mund të shpjegohet me fenomenologjinë (me rastësinë si kryefjalë) se sa me ndonjë kronologji ekzakte historike.

V.

Ibrahim Rugova mund të studiohet brenda shkencave të letërsisë dhe atyre të politikës për të zbuluar se cilën vijë ndiqte më shumë: atë të Gandit apo atë të Èmile Arnuad-it? Atë të Pjetër Bogdanit, të cilin e portretoi shkencërisht aq bukur, me siguri jo.

Albin Kurti mund të analizohet se a është marksist leninist, trockist apo më shumë do të shpallet nesër si Giovanni Falcone i inkarnuar mbetet të shihet? Ky s’ka edhe më hiç teori të vetat, e siç duket as të huajat.

Po aq sa kishte Arbër Xhaferri, të cilit pastaj ia mblodhën artikujt miqtë e tij për ta shpikur ndonjë xhaferrizëm. Nuk shkon me dhunë. Arbër Xhaferi ishte një njeri i veçantë dhe afin për t’ia bërë një biografi, por jo duke e banalizuar si dikë që s’ishte, njër që pastaj njerëzit e përqeshin atë dhe autorët pastaj me ndonjë lulu-izëm.

Bazuar në këtë disput besoj se së paku ata që kanë diploma shkollash në xhep duhet të tërhiqen nga kjo retorikë qesharake izmash, për arsye se qoftë nga padija apo militantizmi ekstrem banalizojnë figurat që dëdhitojnë t’i idealizojnë.