“Hiq se kemi rishiku” – zyrtarët që nënshkruan vendimin e ndryshimit të kufijve të parcelës thonë se e bënë formalisht - Gazeta Express
string(114) "hiq-se-kemi-rishiku-zyrtaret-qe-nenshkruan-vendimin-e-ndryshimit-te-kufijve-te-parceles-thone-se-e-bene-formalisht"

Lajme

Gazeta Express

25/04/2026 20:40

“Hiq se kemi rishiku” – zyrtarët që nënshkruan vendimin e ndryshimit të kufijve të parcelës thonë se e bënë formalisht

Lajme

Gazeta Express

25/04/2026 20:40

Një hulumtim i “Betimi për Drejtësi”, zbulon një proces të dyshimtë të ndryshimit të kufijve të disa parcelave, përfshirë edhe pronën publike në Viti.

Bashkimi i pronës publike në rrugën “UÇK” në këtë komunë, me atë private i ka hapur rrugë ndërtimit të një kompleksi shumëkatësh, që tashmë është realizuar nga Nexhmedin Haliti, vëllai i kryetarit të komunës, Sokol Haliti.

Drejtoria për Kadastër, Pronë dhe Gjeodezi kishte dhënë dritën e gjelbër për pronarët privatë, për ndarjen e parcelës publike që të bashkohej me pronën private.

Vendimin e mori duke u bazuar në nenet 21,25 dhe 27 të Ligjit për Kadastër të Pronës së Palujatshme. Në nenet 5, 9, 10, 11, 15 të Udhëzimit Administrativ të MMPHI-së, për përcaktimin e Përmbajtjes së të Dhënave dhe mënyrën e krijimit të njësive kadastrale dhe në nenet 4,5,6, të Udhëzimit Administrativ për caktimin dhe ri-rregullimin e kufirit të parcelës.

Në këto nene, nuk trajtohet çështja e bashkimit të pronës publike.

Majlinda Ostrogllava, që drejton këtë drejtori, nuk pranoi intervistë. Por, në një bisedë tha se nuk ka asnjë shqetësim rreth vendimit.

“Unë personalisht nuk e kam asnjë shqetësim rreth këtij vendimi, domethënë u ndjek procedura si në  çdo vendim tjetër që nxjerrët prej Kadastrit, s’ka asnjë shqetësim”, u shpreh Ostrogllava.

Drejtorja Ostrogllava, theksoi se lënda shqyrtohet nga zyrtari ligjor.

“Lënda vjen prej gjeodetit të licensuar, vjen në Kadastër, në moment që kalon prej gjeodetit në Kadastër edhe shqyrtohet vendimi prej zyrtarit ligjor në Kadastër për mu është gjithçka në rregull”, tha Ostrogllava.

Tutje, Ostrogllava pyetet nëse e rishikon vendimin e zyrtarit ligjor dhe e konuslton për ligjshmërinë e tij.

“Vendim dhe procedurë e rregullt administrative, si çdo vendim tjetër”, tha ajo, duke mos u përgjigjur konkretisht në pyetjen e bërë.

Sipas drejtoreshës Ostrogllava, ka qenë në interes publik të lirohej rruga.

“Ostrogllava: Jo, përkundrazi aty ka qenë interesi publik, domethënë u liru rruga, hapësira. S’ka të bëj..

Gazetarja: Në çfarë kuptimi po mendoni që është liru rruga?

Ostrogllava: Po ri-rregullimi i kufirit ashtu siç është bërë…

Gazetarja: E cili ka qenë interesi i qytetarëve të Vitisë në atë rast?Ostrogllava: U bë zgjerimi i trotuarit”.

Tutje, Ostrogllava pyetet nëse mendon se ka qenë i nevojshëm zgjerimi i rrugës, duke pasur parasysh që trotuari është ekzistent.

“Unë jam juriste, domethënë këtë pjesën që po të intereson ty tash për momentin mundet me ta dhënë gjeodeti, se kjo nisë tek gjeodeti privat, dorëzohet lënda prej palëve edhe në moment e kontrollon gjeodeti  në Kadastër”, tha drejtorja e Kadastrit.

Në vendimin e Kadastrit, figuron nënshkrimi dhe emri i zyrtarit përgjegjës, i cili është Fadil Hoxha.

Por, Hoxha thotë se ka bërë vetëm punën formale, ndërsa përgjegjësinë e vendimit e lë tek zyrtari i gjeodezisë.

“Hoxha: Vendimin e ka marrë tjetër kush, po unë e kam nënshkru edhe drejtoresha

Gazetarja: Ju e keni shiku pjesën ligjore?

Hosha: Është pak procedurë më ndryshe është se..

Gazetarja: Çfarë procedure është

Hoxha: Unë jam përgjegjës i sektorit të Kadastrës, ai është përgjegjës i sektorit të gjeodezisë, ky është sektori i gjeodezisë ku është bërë puna, por ata s’kanë pasë jurist”.

Hoxha, thotë se nuk ka rishikuar vendimin.

“Unë as që e kemi rishiku, hiç se kemi rishiku. Është nxjerrë vendimi, kemi dashtë me rishiku me drejtoreshën se kam dëgju që u bë pak si bujë në atë kuptimin që ka diçka dhe i kemi thënë atij zyrtarit “O zotni nëse ka gabim diçka ta anulojmë sa është që s’ka kurgjë?” – “jo s’ka kurgjë, gjithçka është në rregull”, tha Hoxha.

Tutje, zyrtari Hoxha pyetet se a ja ka falur besimin zyrtarit, ndonëse nënshkrimi është bërë prej tij.

“Po se ai është gjeodet dhe kjo punë është e gjeodezisë e sektorit të gjeodezisë. Formalisht unë e kam shkru vendimin, përgjegjësinë për nxjerrjen e vendimit e ka pasë ai zyrtari që e ka pasë se ai i bën punët e gjeodezisë, i ka kry krejt ai. Po nuk ka pasë jurist në sektorin e gjeodezisë emrin tem e ka qitë edhe qashtu jemi marrë vesh”, theksoi Hoxha.

Për më shumë, ndiqeni hulumtimin “Kalimi i dyshimtë i pronës për shumëkatëshin e vëllait të kryetarit në Viti”, i cili transmetohet në Betimi për Drejtësi, T7dhe Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement