Eliminimi i Real Madridit nga Bayern Munichu vazhdon të shkaktojë debat, sidomos për kartonin e kuq të marrë nga Eduardo Camavinga.
Mes shumë reagimeve, spikatin edhe deklaratat e Thierry Henry, shkruan “Gazeta Express”.
Ish-sulmuesi francez e komentoi episodin polemik duke u ndalur te përgjegjësia e lojtarit të Realit.
“Tifozët e Madridit do të ankohen për referimin, do të thonë se kartoni i dytë i verdhë ishte i turpshëm, shumë i lehtë për një çerekfinale të Champions Leagues dhe se gjyqtarët ishin kundër tyre.”
Megjithatë, Henry shtoi: “Duhet ta kuptosh një gjë: kur luan jashtë fushe, në një stadium si ai i Bayernit, nuk duhet t’ia japësh gjyqtarit asnjë arsye për ta marrë një vendim kundër teje.”
Në thelb, sipas ish-lojtarit francez, Camavinga duhej të tregonte më shumë maturi në atë moment delikat të ndeshjes, duke e shmangur një veprim që i kushtoi shumë skuadrës së tij.
Kartoni i kuq i mesfushorit francez erdhi në një moment vendimtar të ndeshjes dhe ndikoi drejtpërdrejt në fatin e kualifikimit, me Real Madridin që më pas i pësoi golat vendimtarë dhe u eliminua nga Champions League. /Gazeta Express