Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka reaguar pasi Gjykata Supreme refuzoi ankesën e tij për rinumërimin e votave preferenciale, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë dhe me pasoja për besimin në procesin zgjedhor.
Përmes një postimi publik, Haxhiu tha se e respekton institucionin e Gjykatës Supreme, por nuk pajtohet me arsyetimin e saj, duke pretenduar se në shqyrtimin e ankesës janë injoruar prova të reja.
Sipas tij, ankesa është mbështetur në Raportin Zyrtar të Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për rinumërimin e 185 vendvotimeve, për të cilin ai pretendon se evidenton gabime në 38 komuna dhe një ndryshim prej 10.71 për qind të votave të PDK-së në mostrat e rinumëruara.
Haxhiu kundërshton edhe vlerësimin e Gjykatës se gabimet kanë qenë të izoluara, duke pretenduar se raporti zyrtar dëshmon se ato janë evidentuar në çdo komunë ku është bërë rinumërimi.
Ai gjithashtu akuzoi KQZ-në se nuk i ka vënë në dispozicion të gjitha të dhënat lidhur me ndryshimet e votave për secilin kandidat, duke e cilësuar këtë si shkelje të barazisë procedurale.
Kandidati i PDK-së theksoi se diferenca mes tij dhe kandidatit të fundit që ka fituar mandat është 102 vota, ndërsa argumentoi se në një sistem me lista të hapura rëndësi ka shpërndarja e votave mes kandidatëve dhe jo vetëm rezultati i përgjithshëm i subjektit politik.
Sipas Haxhiut, certifikimi i rezultatit në këto rrethana cenon besimin në zgjedhje dhe krijon një precedent të rrezikshëm për proceset e ardhshme zgjedhore.
Ai paralajmëroi se do të vazhdojë të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të tij kushtetuese dhe të drejtës së qytetarëve që vota e tyre të numërohet saktë.
Në fund të reagimit, Haxhiu falënderoi 20,541 qytetarët që, sipas tij, i kanë dhënë votën në këto zgjedhje, u uroi suksese kandidatëve të zgjedhur të PDK-së dhe kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për “lojëra politike” dhe “manipulim me vullnetin e qytetarëve”./EO