Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka mbështetur vendimin e presidentit Trump për sulmin amerikan ndaj Iranit. Gjithashtu Haradinaj deklaron se regjimi i Iranit e mbështeste regjimin e Millosheviqit, në kohën e luftës.
“Më 24 mars 1999, shtetet aleate të udhëhequra nga Amerika nisën fushatën ajrore kundër regjimit të Millosheviqit.
Në atë kohë, regjimi i Millosheviqit mbështetej nga një koalicion regjimesh shtetërore, përfshirë edhe regjimin iranian, në planet e tij gjenocidale kundër shqiptarëve të Kosovës. Sulmet ajrore të Amerikës dhe të aleatëve mbi caqet serbe ndalën regjimin e Millosheviqit dhe shpëtuan popullin tonë”, shprehet Haradinaj.
“Mbështesim fuqishëm sulmet ajrore mbi kapacitetet bërthamore të regjimit iranian dhe angazhimin e Presidentit Trump dhe të Amerikës për paqe dhe siguri në botë”, deklaron ai.