Në një ceremoni solemne të mbajtur në Bibliotekën Kombëtare të Bullgarisë “Shën Kirili dhe Metodi”, u përurua Këndi i Librit të Republikës së Kosovës, një nismë kulturore që thellon bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushën e librit, dijes dhe diplomacisë kulturore.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë, Prof. Kalina Ivanova, gjatë fjalës së saj theksoi: “Siç e dimë, bibliotekat nuk janë vetëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por shërbejnë si institucione për t’i përafruar vendet dhe kulturat, dhe ne sot kemi nderin të hapim në bibliotekën tonë këndin e librit shqip nga Kosova.” Ivanova, përmes citimit të poetit të njohur Ali Podrimja dhe poetit bullgar Valeri Petrov, tha se hapja e këndit të Republikës së Kosovës sot është një konfirmim se letërsia është ambasadori më i mirë i mundshëm i bashkëpunimit midis vendeve tona. “Siç tha dikur poeti i madh kosovar Ali Podrimja: “Fjalët janë një atdhe. Ato nuk vdesin – ato jetojnë më gjatë se ne. “Dhe poeti i mençur bullgar Valeri Petrov mund të shtojë: “Kur lexojmë, prekim zemrën e një kombi tjetër.”
Këndi i Librit nga Kosova është i 36-ti me radhë që hapet në Bibliotekën Kombëtare të Bullgarisë, si pjesë e një programi të posaçëm për ndërtimin e urave kulturore përmes prezencës së letërsisë kombëtare të vendeve partnere.
Ambasadori i Republikës së Kosovës, z. Haxhi Bajraktari tha se përzgjedhja e shënimit të kësaj dite të rëndësishme përmes inaugurimit të këndit të librit pasqyron dëshminë dhe përkushtimin për t’i dhënë një dimension të ri marrëdhënieve aktuale dypalëshe dhe për t’i ngritur në një nivel më të lartë fushat e bashkëpunimit me interes të përbashkët.
“Ky aktivitet po mbahet për të shënuar një përvjetor me rëndësi të veçantë për Kosovën dhe popullin e saj, dhe zgjedhja për ta shënuar këtë ditë në Bibliotekën Kombëtare të Bullgarisë nuk është rastësi dhe me të vërtetë jemi të nderuar që jemi sot këtu në një nga monumentet më të rëndësishme arsimore dhe kulturore, një institucion më një arkiv të vlefshëm, me mijëra libra dhe dorëshkrime, duke përfshirë edhe shumë kopje të trashëgimisë së lashtë shqipe”.
Ndërkaq, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Prof. Rogova-Gaxha theksoi se ky kënd përfaqëson jo vetëm prezencën kulturore të Kosovës në një nga institucionet më të respektuara të Bullgarisë, por gjithashtu përpjekjen për të ndërtuar ura miqësie përmes librit, gjuhës dhe dijes. Ajo falënderoi për mikpritjen dhe konfirmoi gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin me projekte të reja në fushën e librit dhe dijes.
“Librat që sot vendosen këtu përfaqësojnë zërin e letërsisë dhe të mendimit shqiptar, si edhe përpjekjen tonë për të ndërtuar ura miqësie kulturore në një Evropë që bashkon e respekton diversitetin: një hap konkret drejt njohjes, shkëmbimit dhe afrimit përmes librit”
Këndi i Librit të Kosovës do të jetë një hapësirë e përhershme në Bibliotekën Kombëtare të Bullgarisë, duke ofruar vepra të autorëve shqiptarë dhe botime të rëndësishme për historinë dhe kulturën shqiptare.
Pas ceremonisë së përurimit, u zhvillua një takim zyrtar ndërmjet Drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Rogova-Gaxha, Drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë, Ivanova, Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Bullgari, Bajraktari, dhe përfaqësuesve të Ambasadës së Kosovës. Gjatë takimit u diskutua për çështje të librit dhe të bibliotekarisë në vendet respektive si dhe për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet dy bibliotekave kombëtare në fusha të ndryshme profesionale dhe kulturore.
Kjo nismë e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bullgari, vjen si rezultat i bashkëpunimit institucional dhe vizionit të përbashkët për thellimin e marrëdhënieve kulturore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Bullgarisë.