Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë zgjedhje të brendshme, paralajmëroi kryetari Bedri Hamza në një konferencë për media, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare.
Hamza tha se PDK-në tani e presin “dy procese të rëndësishme”. Fillimisht foli për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme. Ky proces i brendshëm zgjedhor, ai tha se “veçse ka fillu dhe do të vazhdojë dhe do të përfundojë në mënyrë të përgatitur dhe serioze”.
Pavarësisht se, siç tha, ka “mandat të plotë” si kryetar i partisë, ai tha se gara do të jetë “e hapur” edhe për këtë pozitë”.
“Megjithatë në këtë proces zgjedhor gara do të jetë e hapur në të gjitha nivelet, prej nëndegëve, degëve, për Kuvendin, për Këshillin Drejtues dhe për kryetarin. Do me thënë edhe për postin e kryetarit do të jetë një garë e hapur”, tha ai.
Procesi tjetër i rëndësishëm për PDK-në, Hamza tha se do të jetë aktgjykimi i Gjykatës Speciale në Hagë, në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë dy ish-kryetarët e partisë, ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli.
Ai tha se presin që vendimi të shpallet “për pak javë”, ndërsa shtoi se presin gjithashtu që ai të jetë “lirues”.
“Presim që të jetë një vendim lirues, përndryshe, kish me qenë e vështirë t’i thuhej drejtësi kësaj. Nuk ka asnjë arsye që vendimi të mos jetë lirues”, tha ai.
Kthimi i ish-krerëve të UÇK-së në Kosovë do të ishte “ndryshim shumë i madh” për PDK-në, tha Hamza.
“Kthimi i tyre, edhe për Partinë Demokratike të Kosovës do të jetë një ndryshim shumë i madh”, tha ai.
“Unë nuk po paragjykoj nëse ata do të jenë pjesë e politikës apo jo. Është në të drejtën e tyre, në autoritetin e tyre, mirëpo megjithatë presim që ky vendim të jetë i drejtë”, shtoi Hamza.