“Hallakamë” në sport, një padi dhe një kallëzim penal për ministrin Hajrulla Çeku - Gazeta Express
string(78) "hallakame-ne-sport-nje-padi-dhe-nje-kallezim-penal-per-ministrin-hajrulla-ceku"

“Hallakamë” në sport, një padi dhe një kallëzim penal për ministrin Hajrulla Çeku

Sport

Valon Konushevci

20/07/2022 14:59

Dy federata sportive kanë ngritur padi dhe kallëzim penal kundër ministrit të Ministrisë së Sportit, Hajrulla Çeku.

Federata e Notit e Kosovës (FNK) e ka paditur në Gjykatën Themelore Çekun, kurse Federata e Taekwondo-së e Kosovës ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë Themelore ndaj ministrit, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Arsyeja është afërsisht e njëjtë – të dyja këtyre federatave iu është pezulluar licencimi për vazhdim të veprimtarisë nga ana e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS), me vendim të ministrit Çeku.

Këto vendime të MKRS-së federata e notit dhe ajo e taekwondosë i kanë konsideruar arbitrare, joligjore dhe shkelje të autonomisë të federatave sportive, të cilën ua siguron ligji në Republikën e Kosovës.

Kryetari i Federatës së Notit, Astrit Haliti dhe nënkryetari i federatës së Taekwandosë, Nuhi Gashi, theksuan se Ministria e Sportit, veçanërisht ministri Harulla Çeku e zëvendësja e tij, Daulina Osmani, bashkë me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqin dhe sekretarin Besim Aliti, e kanë krijuar një “komplot” duke përdorur forma të tmerrshme përmes të cilave po ndërhyjnë nëpër federatat sportive, të cilat po i trazojnë përbrenda dhe po e dëmtojnë rëndë sportin e Kosovës në përgjithësi.

Këtij konstatimi iu bashkuan edhe Shasivar Haxhijaj, Ismet Rexhepi dhe Fatmir Makolli. Ky i fundit është kryetar i Federatës së Kick-box’it, kurse ish sekretari i KOK-ut, Haxhijaj, bashkë me kreun e Federatës së Automobilizmit, Rexhepin, e kanë marrë mbi supet e tyre përfaqësimin e 13 federatave sportive që janë bërë kundër Komitetit Olimpik të Kosovës, pjesë e të cilave janë edhe ato të notit e taekwondosë.

Express shkruan se Astrit Haliti ka thënë se janë veç dy arsye që MKRS ia ka pezulluar licencën federatës së notit: e para për shkak që kjo federatë është kundër kryesisë së KOK-ut, me të cilën MKRS ka lidhur “aleancë”, dhe e dyta për shkak se zëvendësministrja Daulina Osmani më moti e kishte humbur garën në zgjedhjet e kësaj federate për postin e nënkryetares, dhe tani kur ajo gëzon pozitë të lartë në pushtetin qendror, Haliti tha se po i hakmerret kësaj federate.

Në anën tjetër, nënkryetari i Federatës së Taekwondosë, Nuhi Gashi, tha se MKRS-ja ia ka hequr licencën kësaj federate pasi i është dhënë, ndonëse kjo federatë nga viti 2021 ka kryesi të re të zgjedhur përmes një kuvendi të ligjshëm që ia ka njohur edhe KOK-u si vëzhgues, shkruan Gazeta Express. Sipas tij, që nga viti 2021 kur ishte mbajtur ai Kuvend në sportin e taekwondosë ishte qetësuar pas shumë vjetësh të ndarë në dy taborë.

Por, Gashi tha se ministri Çeku e ka shpërfillur vullnetin demokratik të atij Kuvendi duke e aprovuar një kërkesë të një grupi prej tre personash: Gazmend Preniqi, Maxhun Berisha e Durim Berisha, të cilët përmes gjykatës kishin fituar të drejtën e ligjshmërisë mbi të drejtën e udhëheqjes së federatës.

“Pas vendimit të gjykatës në Federatën e Taekwandos është mbajtur kuvendi zgjedhor në mes dy grupeve dhe ata kanë humbur. Në vitin 2021 ne e kemi mbajtur Kuvendin e rregullt që e kanë njohur të gjithë si legjitim. Dhe tani na hiqet neve licenca dhe u epet atyre personave të rrugës, të cilët federatën e kanë paditur edhe për t’ia marrë 180 mijë euro, për të tretë kah 60 mijë euro, si kompensim të rrogave për postet që kinse u kanë takuar, si kryetar, nënkryetar e sekretar. Por, njëri ka humbur dhe do të humbin edhe dy të tjerët. Për këta tre persona ministri ia heq licencën një federate, andaj ne kemi bërë kallëzim penal për ministrin Çeku dhe këta persona”, tha Gashi në një konferencë për media të mbajtur sot.

Në këtë konferencë Fatmir Makolli tha se KOK-u po tenton ta destabilizojë edhe federatën e kick-box’it që ai e udhëheq vetëm pese dikur e kishte votuar Ismet Krasniqin për kryetar, kurse tani është bërë kundër tij shkaku i keqmenaxhimit që po ia bën institucionit më të lartë sportiv.  

Ndërsa, kritikave të ashpra ndaj Ministrisë së Sportit dhe KOK-ut iu kanë bashkuar edhe Haxhijaj e Rexhepi, që thanë kanë bërë kallëzim penal në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv të Kosovës, në emër të 13 federatave sportive, ndaj KOK-ut, i cili sipas tyre ka bërë shkelje statutore e ligjore në Kuvendin e Punës të mbajtur në mars. Ata thanë se në atë kuvend është rritur numri i delegatëve dhe nuk janë verifikuar ata, e po ashtu kujtuan se në atë Kuvend kanë votuar edhe shumë persona të panjohur pa të drejt vote.

Ata janë të bindur në shkeljet drastike të KOK-ut dhe thanë se i kanë argumentuar në CAS, prej të cilit besojnë se do ta marrë një vendim të drejt. Por, shprehën brengën e tyre për ndërhyrje të politikës dhe Ministrisë së Sportit dhe në këtë Gjykatë.

Nëse kjo ndodh, Haxhijaj e Rexhepi garantuan se do të bëjnë kallëzim penal në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Llozanë, raporton Gazeta Express.

Pjesë e këtyre 13 federatave Haxhijaj e Rexhepi treguan se është edhe Federata e Xhudos e Kosovës, e cila deri tash në Kosovës ia ka sjell tri medalje olimpike, por që theksuan se është lënë anash nga KOK-u. Sipas tyre, KOK-u po i “persekuton” federatat që nuk po pajtohen me keqqeverisjen e Ismet Krasniqit dhe Besim Alitit.

“Qe ku është njeri, e ka thirr Besim Aliti në telefon edhe i ka thënë a e ke nënshkruar kallëzimin penal në CAS a? Ja pafsh hajrin pra, edhe ia ka ndal telefonin. Ja ku jemi sot, kësaj federate i është heq licenca nga MKRS”, tha Haxhijaj.

Ata folën edhe për kategorizimin e sporteve nga ana e KOK-ut, ku theksuan se kanë bërë shkelje të tmerrshme. /GazetaExpress/