“Hakuna Matata”, si kuptim i jetës - Gazeta Express
string(31) "hakuna-matata-si-kuptim-i-jetes"

“Hakuna Matata”, si kuptim i jetës

OP/ED

Gazeta Express

10/02/2023 13:23

Rrëfimi për një përvojë interesante në Tanzani, për një shoqëri kontrastesh të thella, për një sfidë dhe plot kënaqësi. Një rrëfim për kuptimin e vërtetë të jetës.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Të udhëtosh në Afrikë don të thotë të marrësh rrugë drejt një bote të panjohur. Një bote që të shokon, të godet shuplakë fytyrës, për të sjellë ndërmend se cili është kuptimi i vërtetë i jetës dhe çfarë është qasja jonë n’raport me të.

Kështu ishte udhëtimi drejt Tanzanisë, një shteti të madh në Afriken Lindore me dalje ne Oqeanin Indian, i pozicionuar ndëmjet Kenisë e Mozambikut.

Me sipërfaqe prej gati 950 mijë kilomentrash katrorë dhe popullsi prej 64 milionë banorësh, Tanzania është vend i kontrasteve të thellë, vend i ekstremeve. Një pjesë e madhe e popullsisë jeton në varfëri të skajshme.

Është vështirë i shpjegueshëm me fjalë niveli i varfërisë në zona të tëra të vendit. Duhet ta përjetosh, ta prekësh varfërinë, mjerimin që i ka kapluar njerëzit, për të kuptuar se çfarë mund të durojë qenia njerëzore.

Shtëpi të ndërtuara nga balta dhe kashta, pa kushte bazike për jetesë, mbyllin brenda familje që mezi mbijetojnë, fëmijë të zhveshur e të paushqyer si duhet, gra e burra të zhveshur nga gjithçka materiale, të cilët bëjnë çmos për të mbijetuar. Për të siguruar ujë me kilometra larg dhe pak bukë për të mbajtur shpirtin gjallë.

Por, kjo është vetëm njëra nga fotografitë e Tanzanisë, që ofron bukuri të egër e të virgjër në male, tokë e det. Bukuri që nuk mund të shijohen nga të gjithë vendësit, por që mahnitin të huajt që ia mësyjnë Afrikës. Që ia mësyjnë majës më të lartë të kontinentit – Kilimanxharos.

* * *

Mali Kilimanxharo, me majën më të lartë Uhuru – 5895 metra, është sfida e secilit dhe secilës që merret me bjeshkatari. Ngjitja e tij është një ndër ëndrrat që duhet realizuar. Një mal vullkanik, që të cfilit, dërmon deri sa t’i dalësh në maje. Nëse ia del. Sepse vështirësitë janë shumë të mëdha.

Ka qenë ngjitja më e vështirë imja ndonjëherë, më e vështirë se në Himalaje. Vetëm në të tilla ngjitje njeriu i njeh limitet e trupit të vet – jo veç fizike, por edhe psikike. Vetëm në të tilla situata njeriut i vjen ndërmend më shumë se një herë pyetja: çfarë m’u desh që i hyra kësaj sfide?

Parku Kombëtar Kilimanxharo, nëpër të cilin duhet ecur me ditë për të mbërritur në majë, është tregim në vete. I shtrirë në rreth 1700 kilometra katrorë, në park janë të ndaluara shishet plastike, ashtu si dhe kafshët shtëpiake. Në gjithë këtë hapësirë rrallë të sheh syri ndonjë mbeturinë. Ashtu siç rrallë njeriu durohet pa i përjetësuar në fotografi pamjet që të shfaqen përreth.

E rrëfimi për njerëzit e Tanzanisë është rrëfim për mirësinë, dashurinë, respektin, dhimbjen, krenarinë. Më shumë se 50 njerëz – guida, bartës çantash e kuzhinierë kanë shoqëruar grupin drejt ngjitjes ne majë. Të atillë që të ofrojnë ndihmë në çdo moment, që të sjellin kafen afrikane te shtrati në orën 6 të mëngjesit bashkë me ujin e ngrohtë për të larë fytyrën. Të atillë që të ofrojnë supë gjatë rrugës në katër mijë e kusur metra dhe filxhanë me çaj të ngrohtë në mbi pesë mijë metra lartësi. Ta kemi parasysh: gjithçka e bartin në shpinë nga rrafshi – çantat e bjeshkatarëve, ujin, ushqimet, enët… Të atillë që mëngjeseve këndojnë e vallëzojnë, duke të ftuar të bëhesh pjesë e gëzimit të tyre.

* * *

“Hakuna Matata” është fraza më e përdorur në Tanzani. Në gjuhën swahili, që flitet në Afrikën Lindore, kjo fjalë ka kuptimin “gjithçka është në rregull”, “mos u shqetësoi, ji i lumtur”.

Banorët e Tanzanisë jetojnë sipas kësaj filozofie. Atyre nuk iu ngutet. Nuk shqetësohen fort pse diçka nuk nis në kohën e duhur. “Pole-pole” është shprehja tjetër që e përdorin më të madhe. “Kadal-dale” do të përshtatej në shqip. Pa stres, pa nervozë.

Nuk është pak të ndash disa ditë nga jeta me njerëz, me të cilët ndihesh çuditshëm. Ndihesh mirë për ngrohtësinë që të ofrojnë dhe keq për gjendjen në të cilën jetojnë. Ndihesh i fortë dhe, njëkohëssisht, i pafuqishëm. “Hakuna Matata” është lumturia e përkohshme.