“I kam dhënë kredi djalit tim 13-vjeçar me 10% interes.” Kështu u shpreh Ermal Mamaqi gjatë një interviste në Grida Duma Podcast, ku foli për mënyrën si i edukon fëmijët për raportin me paratë dhe përgjegjësinë financiare.
Mamaqi tregoi se në familjen e tij shmangen shprehje si “nuk kemi lekë” apo “nuk e përballojmë dot”.
Sipas tij, edhe kur një gjë nuk është e përballueshme në atë moment, fëmijët nxiten të mendojnë se si mund të gjejnë zgjidhje për ta arritur.
Në bisedë, Mamaqi ndau edhe një episod kur djali i tij kërkonte një pajisje që kushtonte rreth 500 euro.
“Nuk i dilnin lekët dhe një ditë më thotë: e gjeta zgjidhjen, duhet të më japësh kredi. Bëmë llogaritë dhe i thashë: nuk do më kthesh 500, por 550, me 10% interes, si në bankë. Filloi të thoshte duhet të punoj më shumë sepse kam kredi. Ishte hera e parë që kuptoi përgjegjësinë financiare”, u shpreh ai.
Ai shpjegoi se i motivon fëmijët financiarisht për leximin dhe angazhimet në shtëpi.
Për çdo libër të lexuar apo detyrë të përmbushur, ata marrin një shumë të caktuar, të cilën mund ta kursejnë dhe ta përdorin sipas dëshirës.