Ricardo Gutiérrez, sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ – European Federation of Journalists) ka thënë se Qeveria Kurti nuk e ka ndërmend të transferojë buxhetin e Radiotelevizionit të Kosovës, duke publikuar letrën zyrtare të pranuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Ndërsa punonjësit e transmetuesit publik të Kosovës, RTK, nisin grevën për të kërkuar pagat e tyre, unë shpreh solidaritet me ta. Po ashtu po publikoj letrën që kemi marrë nga kryeministri Kurti, e cila konfirmon se ai nuk ka ndërmend të transferojë fondet e nevojshme për RTK-në, ashtu siç kishte refuzuar të vepronte edhe në muajin gusht. Ai ka dështuar të shpjegojë pse ishte e ligjshme të transferoheshin paratë për paga në gusht, por supozohet se nuk është e ligjshme tani”, ka shkruar ai në facebook.
Gutiérrez më tej ka bërë thirrje që të sigurohen pagat për punonjësit e transmetuesit publik.
“I bëj thirrje kryeministrit Kurti të ndalojë politizimin e mëtejmë të transmetuesit publik dhe të sigurojë menjëherë që pagat e RTK-së të paguhen. Askush nuk duhet të luajë me mirëqenien e 700 punonjësve dhe familjeve të tyre”, ka shkruar ai.
Ndërkaq në letrën e publikuar të cilën e ka pranuar nga kryeministri në detyrë, Kurti, thuhet se sipas tyre, buxheti i RTK-së mund të transferohet vetëm me formimin e komisioneve të Kuvendit.
“Sipas Ligjit Nr. 08/L-132 për Alokimet Buxhetore për vitin 2023 (i njohur zakonisht si Ligji për Alokimet Buxhetore), Kuvendi aprovoi 63,960,000 € për RTK-në. Ligji tutje përcakton që këto fonde mund të alokohen vetëm në përputhje me një vendim të Komisionit të Kuvendit për Buxhet, Punë dhe Transfere, duke ndjekur programin dhe raportimin fiskal të RTK-së. Kjo sepse RTK është e llogaridhënshme ndaj Kuvendit të Kosovës. Në rrethanat aktuale — ndërkohë që Kuvendi është konstituuar por partitë opozitare refuzojnë të formojnë komisionet parlamentare — nuk ka asnjë komision kompetent që mund të marrë vendimin e kërkuar, dhe ekzekutivi nuk mund ta zëvendësojë atë në mënyrë të ligjshme”, thuhet në këtë letër të shkruar nga Kurti.
Në ndërkohë ka përfunduar greva dy orëshe e punonjësve e Radiotelevizionit të Kosovës, në ditën e 24-të të mos marrjes së pagave të tyre. Përderisa greva u zhvillua në dy objektet e transmetuesit publik, në televizion dhe radio, kërkesat e punonjësve u drejtuan ndaj Qeverisë dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për ndërmarrjen e hapave të duhur ligjor për dalje nga kriza financiare.