Shtetet e Bashkuara të Amerikës po thellojnë prezencën në Ballkanin Perëndimor me investime në sektorin energjetik që kanë si synim uljen e varësisë nga gazi dhe nafta ruse. Kompanitë amerikane nënshkruan marrëveshje me vlerë miliarda dollarë me vendet e Ballkanit duke rritur praninë energjetike të Uashingtonit në rajon.
Një ndër to është edhe marrëveshja e nënshkruar me Shqipërinë me vlerë rreth 6 miliardë dollarë. Nisma është me një afat 20-vjeçar dhe është firmosur midis Venture Global dhe Aktor LNG USA për të eksportuar gaz të lëngshëm në Shqipëri, shkruan abcnews.al.
Për të realizuar këtë është parashikuar ngritja e një qendre energjetike në Vlorë e cila do të ketë infrastrukturën e nevojshme për importin e më pas magazinimin e gazit, ndërsa element kyç është sigurimi afatgjatë i furnizimit me LNG nga SHBA, duke filluar nga viti 2030.
Po ashtu parashikohet ndërtimi i tubacionit Fier-Vlorë, duke e lidhur këtë qendër me rrjetin kombëtar dhe rajonal të transmetimit të gazit.
Ky angazhim vlerësohet si një nismë që forcon sigurinë energjetike – dhe sigurinë kombëtare – në të gjithë rajonin.
Por kjo nuk është marrëveshja e vetme në Ballkan pasi Sekretari Amerikan i Energjisë, Chris Wright konfirmoi mbështetjen e SHBA-së për një marrëveshje midis Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kroacisë për të ndërtuar një tubacion gazi që transporton gaz natyror amerikan nga një terminal LNG në ishullin kroat të Krk në Bosnjë.
Projekti, synon të diversifikojë furnizimet me energji të Bosnjës dhe të zvogëlojë varësinë e saj nga gazi rus
Po ashtu parashikohet që të ngrihet një strukturë me kapacitet energjie prej 1 gigavat të investohet në inteligjencën artificiale dhe shërbimet cloud.