Kancelari gjerman Friedrich Merz ka njoftuar se Gjermania do të pezullojë eksportet e saj të armëve drejt Izraelit që mund të përdoren në Rripin e Gazës, në reagim ndaj planeve të Izraelit për të marrë kontrollin e Gazës.
Sipas BBC, Merz ka bërë të ditur se qeveria e tij nuk do të miratojë asnjë eksport pajisjesh ushtarake për Izraelin që mund të përdoren në Gaza, deri në një njoftim të dytë.
Merz ka thënë se është bërë “gjithnjë e më e vështirë të kuptohet” se si plani ushtarak izraelit do të ndihmojë për të arritur objektiva legjitime, duke shtuar: “Në këto rrethana, qeveria gjermane nuk do të autorizojë asnjë eksport të pajisjeve ushtarake që mund të përdoren në Rripin e Gazës deri në një njoftim të dytë.”
Kujtojmë se, historikisht, Gjermania ka qenë një nga furnizuesit më të mëdhenj të armëve për Izraelin, ku sipas Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes në Stokholm (SIPRI), SHBA ka qenë furnizuesi më i madh i importeve ushtarake për Izraelin gjatë periudhës 2020-2024, ndërsa Gjermania renditet e dyta.