Gardianë të rrejshëm të moralit - Gazeta Express
string(31) "gardiane-te-rrejshem-te-moralit"

Gardianë të rrejshëm të moralit

OP/ED

Gazeta Express

23/12/2022 13:43

Është shqetësuese që në Kosovë ka deputetë që janë kundër respektimit të të drejtave të njeriut. Të atillë që flasin për “dhunë psikologjike” edhe kur bëhet fjalë për një vepër arti. Asi që shfaqen si gardianë të nderit e të moralit, por që nuk iu dëgjohet zëri kur ndodhin dhuna e krimi.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Barrikadat e vendosura nga serbët në veri po qëndrojnë atje tash dy javë, duke vështirësuar jetën e banorëve dhe qarkullimin e të tjerëve. Ndonëse në fillim pritej që KFOR’i do t’i largonte ato, tashmë po thuhet se ato duhet hequr si rezultat i një procesi të dialogut. Vetëm se nuk po bëhet e qartë se kush me kë duhet të bisedojë.

A duhet të bisedojë qeveria me përfaqësues të grupeve kriminale në veri, me përfaqëssues të serbëve që po i bojkotojnë institucionet apo me Beogradin, sipas skenarit të të cilit po ndodh gjithçka në atë pjesë?

Policia e Kosovës ka kapacitete pët t’i liruar rrugët e bllokuara, por çdo aksion mund të provokojë reagime nga ana e serbëve, që nuk dihet si mund të përfundojnë. Andaj situata ka mbetur e paqartë dhe pa rrugëdalje.

Por, përtej barrikadave fizike – jo vetëm në veri, problem edhe më i madh mbeten barrikadat mendore. Përfaqëues institucionesh, në shumë çështje, nuk po mund të dalin jashtë mentalitetit të kultivuar ndër vite.

Deputetë të partisë në pushtet, të cilët muaj më parë nuk e dhanë votën për të kaluar kodin civil dhe me dashje keqintepretuan një nga nenet e tij, tashmë janë çuar sërish kundër qeverisë. Ata po reagojnë kundër vendimit të Ministrisë së Kulturës për të blerë disa vepra arti, në mesin e të cilave edhe një fotografi të grupit artistik “Haveit”, të titulluar “Shën Valentini”. Njëri nga ta vlerësoi se fotografia është “dhunë psikologjike” dhe “normalizim i seksualitetit të dikujt”.

Tash kur janë bërë gati 80 ditë që Ministria e Shëndetësisë ka mbetur pa ministër dhe skandalet nuk kanë të ndalur në këtë sektor, këtyre deputetëve nuk iu ka ardhur ndërmend asnjëherë ta ngrenë si problematike këtë çështje. Por, ata kanë zgjedhur të flasin kundër të drejtave të njeriut, pavarësisht se kushtetuta i përcakton në mënyrë të qartë ato.

Ata edhe mund të bëjnë thirrje për largimin e barrikadave fizike në veri, por i kanë problem të madh dhe vështirë të përmirësueshëm barrikadat mendore.

* * *

Të tilla barrikada kanë edhe një pjesë e madhe e shoqërisë, që zgjedh t’i shpreh idetë e tyre në rrjetet sociale. Ndodh shpesh, që kur raportohet për dhunë me bazë gjinore apo dhunim të vajzave të mitura, komentet e lexuesve të arsyetojnë gjithë atë çfarë ka ngjarë. Sipas shumicës së komentuesve burra dhe djem, vajzat dhe gratë kanë faj pse ngjajnë raste të tilla. Ata asnjëherë nuk e fajësojnë veten, edukimin, mendësinë e tyre. Ata arsyetojnë dhunues, duke përligjur kështu edhe krimet e tmerrshme që mund të kryhen “në emër të nderit”, “në emër të moralit”. Pra, duke asryetuar dhunën, ata ushtrojnë dhunë psikologjike.

Por, me këtë çëshje nuk merret deputeti, cili konstaton se një lloj të tillë dhune e prodhon një fotografi e një performance artistike, në të cilën disa vajza shihen duke u puthur. Pra, deputetit dhe kolegëve të tij, të cilët mendojnë si ai, aq u bën për të drejtat e njeriut dhe shkeljen e tyre. Për ta është e rëndësishme të çojnë përpara agjenda politike, duke u arsyetuar me “ruajtjen e moralit” të shoqërisë.

Pra, ata shfaqen si dofarë gardianësh të moralit, ndërkohë që në anën tjetër nxisin urrejtje me veprimet e tyre dhe nuk iu dëgjohet zëri kur ndodhin dhuna e krimi. Ata janë njerëz me barrikada mendore, të cilët mbase ëndërrojnë të jetojnë në një tjetër shoqëri, e jo në një si kjo jona, në një shoqëri të barabartë për të gjithë. Ata janë përjashtues, e jo gjithëpërfshirës. Ndërkohë që kërkojnë respektimin e të drejtave të një grupi në shoqëri, nuk ngurrojnë të bëjnë thirrje dhe të veprojnë kundër të drejtave të një grupi tjetër. Ata janë gardianë të rrejshëm të moralit.