FSK-ja drejt Gazës, Amerika vendos kur nisen trupat nga Kosova - Gazeta Express
string(61) "fsk-ja-drejt-gazes-amerika-vendos-kur-nisen-trupat-nga-kosova"

Lajme

Gazeta Express

22/04/2026 10:21

FSK-ja drejt Gazës, Amerika vendos kur nisen trupat nga Kosova

Lajme

Gazeta Express

22/04/2026 10:21

Nisja e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës drejt misionit ndërkombëtar në Gaza nuk do të varet drejtpërdrejt nga institucionet e Kosovës, por nga vendimmarrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkatësisht nga gjenerali i Forcës Stabilizuese që do të jetë amerikan dhe pritet ta udhëheq operacionin.

Gjenerali amerikan pritet të përcaktojë kohën e nisjes, mënyrën e angazhimit dhe kohëzgjatjen e misionit, në përputhje me planifikimet operative në terren.

Kështu ka bërë të ditur për Klankosova, ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati.

Sipas tij, mbështetja logjistike për këtë mision pritet të sigurohet nga SHBA-ja, pasi kapacitetet për transport dhe organizim mbeten të kufizuara për një operacion të tillë ndërkombëtar.

“Në përgjithësi mendoj se FSK është përgatitur me standard të NATO-s, partneri ynë strategjik është ShBA, në veçanti sigurisht që ShBA e ka komandën në Gaza, dhe sigurisht një trajtim, ia kushtojnë kësaj. Edhe ato e përcjellin këtë operacion. Edhe pse janë forca ndërkombëtare atje, edhe mund të ballafaqohet edhe me raste ekstreme. Do të thotë, në përgjithësi, forcat tona janë të përgatitura”. 

Kastrati deklaroi se angazhimi do të ndikojë pozitivisht edhe në planin politik dhe diplomatik, pasi Kosova po kalon nga një përfituese e sigurisë në një kontribuuese aktive, duke kthyer mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

“Dhe sigurisht që do ta bëjnë edhe Kosovën krenare me këtë operacion, pra përfiton shumë në aspektin ushtarak sepse merr përvojë shumë të madhe, por edhe në aspektin politik dhe diplomatik do të përfitojë, sepse kemi qenë konsumues të sigurisë dhe po e kthejmë investimin e partnerëve tanë, tash ne jemi të gatshëm që të japim kontribut”, tha Kastrati për Klankosova.

Sipas tij, FSK është e përgatitur sipas standardeve të NATO-s dhe pritet të kontribuojë kryesisht në fusha si deminimi dhe angazhimi i oficerëve shtaborë.

“Atje do të shkojë deminimi dhe ndonjë oficer tjetër shtabor. FSK është lider në deminim, atje shumë bomba e raketa janë të shpërndara dhe mendoj se pasi FSK është lidere në këtë fushë, FSK do të marrë ftesë nga gjenerali amerikan atje. Mendoj që ka mundësi që të ofrojë oficerë shtaborë që kanë kryer specializime në krejt shtetet e NATO-s, por edhe policia ushtarake është e aftë. Kjo do të jetë ballë.

“Nuk varet prej Kosovës kur janë me u nis, varet nga gjenerali amerikan atje, ai do të ftojë forcat dhe sigurisht se kur do të duhet të zbarkojë aty. Kjo varet nga Amerika sepse do të jemi në mbështetje logjistike të amerikanëve, sepse ne nuk kemi mundësi t’i bartim gjithë këta njerëz e mjete që janë të nevojshme për këtë operacion. Amerika do të ofrojë mbështetje logjistike. Kjo varet nga planifikimet atje. Edhe për kohëzgjatjen varet se sa do të kërkojë gjenerali amerikan”, vijoi ai.

Operacion i përbashkët i ekspertëve amerikanë dhe të FSK-së për demolimin e mjeteve të pashpërthyera
Operacion i përbashkët i ekspertëve amerikanë dhe të FSK-së për demolimin e mjeteve të pashpërthyera

Në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj, deklaroi se sfidat kryesore për pjesëtarët e FSK-së lidhen me ambientin e paqëndrueshëm të sigurisë.

 “FSK-ja ka arritur standarde të mira profesionale dhe ndërveprueshmëri me aleatët, por misione të tilla mbeten sfiduese dhe kërkojnë përgatitje të vazhdueshme, disiplinë të lartë dhe përvojë operacionale në terrene komplekse. Sfidat kryesore lidhen me ambientin e paqëndrueshëm të sigurisë, kërcënimet e vazhdueshme në terren urban, kompleksitetin humanitar dhe nevojën për koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë”, tha Gecaj për Klankosova.tv

Ai njëherësh e vlerëson këtë vendim si një hap të rëndësishëm strategjik për vendin.

“Është një vendim i rëndësishëm strategjik që afirmon rolin e Kosovës si kontribuese në sigurinë ndërkombëtare. Njëkohësisht, kërkon kujdes të shtuar për shkak të ndjeshmërisë dhe rrezikshmërisë së lartë të situatës në terren”, përfundoi ai.

Kuvendi i Kosovës më 17 prill ia dha dritën e gjelbër vendimit të Qeverisë për dërgimin e FSK-së jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza,.

Vendimi kaloi me 89 vota pro dhe pa asnjë kundër apo abstenim, kësisoj duke i hapur rrugë realizimit të misionit ndërkombëtar.

Advertisement
Advertisement
Advertisement