"Fredi Beleri, i barabartë para ligjit", Shqipëria i përgjigjet Athinës: Prisni drejtësinë të bëjë punën - Gazeta Express
string(99) "fredi-beleri-i-barabarte-para-ligjit-shqiperia-i-pergjigjet-athines-prisni-drejtesine-te-beje-punen"

Shqiperi

Gazeta Express

12/05/2023 14:44

“Fredi Beleri, i barabartë para ligjit”, Shqipëria i përgjigjet Athinës: Prisni drejtësinë të bëjë punën

Shqiperi

Gazeta Express

12/05/2023 14:44

Pas reagimeve të ashpra të Greqisë në lidhje me arrestimin e kandidatit për bashkinë e Himarës Fredi Beleri njëkohësisht anëtar i komunitetit grek, ka ardhur një përgjigje nga ministria e Jashtme e Shqipërisë.

Ministrja Olta Xhaçka nëpërmjet një postimi në “Twitter” i kërkon zyrtarëve në Athinë që të ndjekin çështjen duke lejuar drejtësinë shqiptare të kryejë punën e saj.

“Blerja e votës është një shkelje e rëndë në legjislacionin tonë dhe të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit kanë prioritet luftimin e saj gjatë kohës së zgjedhjeve. Kjo vlen për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, përfshirë vëllezërit dhe motrat e minoritetit grek që marrin pjesë në zgjedhjet tona.

Kandidatura e shtetasit shqiptar, Alfred Beleri që kandidon për zgjedhje nga bashkëqytetarët e tij, nuk kërkon ndonjë trajtim të veçantë. Ai është i barabartë para ligjit si kushdo tjetër. I takon vetëm prokurorëve dhe gjyqtarëve që ta trajtojnë këtë çështje në përputhje me provat.

Me respekt, u kërkojmë miqve tanë grekë në Athinë që të monitorojnë nga afër e me durim zhvillimin e çështjes, duke lejuar drejtësinë shqiptare të kryejë punën e saj, pa presione të jashtme apo mesazhe përçarëse. Është mirë të mbajmë të informuar Brukselin, por duhet të presim edhe shfaqjen e fakteve”, thuhet në reagim.

/Gazeta Express