Fluturimi mbi folenë e krimit - Gazeta Express
string(29) "fluturimi-mbi-folene-e-krimit"

OP/ED

Gazeta Express

11/11/2022 16:12

Fluturimi mbi folenë e krimit

OP/ED

Gazeta Express

11/11/2022 16:12

Në Srebrenicë ka pasur gjenocid, por Beogradi nuk e pranon një gjë të tillë. Zyrtarët serbë në Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi thonë se atje ka ndodhur vetëm një “krim i tmerrshëm”. Serbia nuk e ka marrë përgjegjësinë as për krimet në Kosovë. Madje po e vazhdon betejën për ta penguar shtetndërtimin e saj.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Nihad Nino Ćatić ishte një gazetar i ri nga Srebrenica. Kur filloi lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë, ishte kthyer nga Serbia, ku po studionte, për t’iu gjetur pranë prindërve. Por, lufta e shtyu që për çdo ditë të njoftonte publikun se çfarë po ndodhte në qytetin enklavë. Si radio amator, mënyrë e vetme për të shpërndarë të vërtetën e dhimbshme, zëri i tij së fundi në eter u dëgjua më 10 korrik 1995.

“Srebrenica është kthyer në një therrtore të madhe… ky është një krim i padëgjuar që po kryhet mbi banorët boshnjakë të Srebrenicës”. Këto ishin fjalët e fundit të Ćatićit, përpara se të vritej dhe kufoma e tij të zhdukej, më 11 korriki 1995.

27 vjet më pas, eshtrat e tij ende nuk janë gjetur, ndonëse u kërkuan vite me radhë nga e ëma, Hajra. Ajo udhëhiqte shoqatën “Gratë e Srebrenicës” deri vitin e kaluar, kur vdiq. Ajo Vdiq pa i gjetur eshtrat e të birit.

Emrin e Nihad Ćatićit e mban çmimi për gazetarët në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ndërkaq, emrat e 8372 të vrarëve e të masakruarve boshnjakë, djem e burra, janë shënuar në qendrën memoriale afër Srebrenicës.

Vetëm për t’i lexuar të gjithë, një nga një, duhen katër orë. Më shumë kohë iu është dashur kriminelëve që vranë gati nëntë mijë të pafajshëm.

Gazetari serb nga Bosnja, Dragan Bursać, shkruan se 8372 nuk është veç numër, por emri dhe mbiemri i gjenocidit. Sipas tij, në Srebrenicë është një qytet i tërë nëntokësor, i ndërtuar nga eshtrat e të pafajshëmve. Srebrenica është njollë për mbarë njerëzimin.

* * *

Rrëfimi për Ćatićin është vetëm njëri nga afër nëntë mijë. Secila nga viktimat e ka rrëfimin e vet të tmerrshëm. Rrëfimin se si kriminelët i morën dhe i vranë, duke i groposur ku kanë mundur e si kanë mundur, në përpjekje për për ta fshehur krimin.

Qendra memoriale Potočari, shtatë kilometra larg Srebrenicës, ku janë varrosur eshtrat e masakrës më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore, dukej e zymtë këtë fillimnëntor. Familjarët të viktimave kryenin ritet e zakonshme të vizitave dhe lutjeve për ta. Fotografi e ngjashme është thuajse çdo ditë. Varrezat bëjnë vend për të tjerë eshtra, e dhimbja s’ka fund.

E zymtë është edhe Srebrenica, e cila ndodhet në Republikën Serbe. Asnjë njeri nuk shihet në rrugët e qytezës që dikur ishte plotë jetë, por që u shndërrua në varrezë masive për mijëra boshnjakë dhe në sinonim të krimit që tmerroi botën. Në qytezën bjeshkatare të njohur për minierën e kripës së gurit.

Deri në vitin 2016, Srebrenica udhëhiqej nga një kryetar boshnjak. Por, që atëherë, Ćamil Duraković është pasuar nga një serb.

Të krijohet përshtypja se në Srebrenicë është ndalur jeta edhe e të gjallëve. E vështirë të bëhet një jetë normale, afër vendit ku janë varrosur eshtrat e mijëra viktimave të pafajshme, që kanë veç një emër – gjenocid.

* * *

Gjithkush e di se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi. E di edhe Serbia, udhëheqja e shtetit serb, por që refuzon ta pranojë.

Kreu i shtetit serb pranon se në Srebrenicë ka ndodhur “krim i tmerrshëm”, por jo gjenocid. Pavarësisht se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur ndryshe, ka konkluduar se aty ka pasur gjenocid.

Serbia nuk e ka marrë përgjegjësinë as për krimet në Kosovë. Madje po e vazhdon betejën për ta penguar shtetndërtimin e saj. Pas krimeve të kryera mbi civilë të pafajshëm, tash Beogradi po synon që për veriun e vendit të sigurojë status të veçantë. Në këtë mënyrë, qëllimi është që të defunksionalizohet shteti i Kosovës.

E tillë, jofunksionale, është edhe Bosnja dhe Hercegovina. Shtet i ndarë në dy entitete, që formalisht jetojnë bashkë. Shtet, pavarësia e të cilit njihet nga Serbia, por që nuk funksionon normalisht.

Nga një “fole e bashkëjetesës”, Srebrenica është kthyer në “fole të krimit”. Mbi të kanë fluturuar qyqarët, që e kanë vrarë.