Floresha Rasha, gruaja e shpërndarësit të picave, që u vra me snajper në Siri, i ati: Jam krenar, kam rritur një trim - Gazeta Express

Gazeta Express

26/10/2020 19:37

Me i fundit

Floresha Rasha, gruaja e shpërndarësit të picave, që u vra me snajper në Siri, i ati: Jam krenar, kam rritur një trim

Gazeta Express

26/10/2020 19:37

Floresha Rasha së bashku me tre fëmijët e saj, pasi u nxor nga kampi i“Al Hol” në Siri, nesër pritet që të mbërrijë në Tiranë. Por si përfundoi ajo në Siri? Floresha Rasha është gruaja e Diamant Rashës, e cila kishte mbetur në Siri prej fillimit të vitit 2014, kohë kur bashkëshorti i saj u vra në luftë.

Në Shqipëri, Diamant Rasha ishte i njohur me emrin “Ebu Amar” punonte si shpërndarës picash. Në Siri, ai u kthye në luftëtar për ngritjen e Shtetit Islamik, për të cilin u vra nga një snajper në janar të vitit 2014. Floresha Rasha mbeti atje me fëmijët e mitur dhe donte të kthehej në Shqipëri, por xhihadistët nuk e lejuan.

Lexo Edhe:

pressing

Skeda
Diamant Rasha (Alias – Ebu Amar) ishte i biri i Shaban dhe i Xhemile, i datëlindjes 24.08.1980, lindur në Sllovë, Dibër e banues në Rruga “Ferit Xhajko” (Rr. Pal Hasa), Tiranë, me gjendje civile i martuar me fëmijë. Diamanti kishte frekuentuar xhaminë tek Unaza e Re në Tiranë ku ishte imam Genci Balla. Më datë 08.02.2013, Diamant Rasha është shprehur se ka vendosur të mos kthehet në Shqipëri pasi të mbarojë lufta.

Ai i kishte kërkuar babait të tij që bashkëshortes së tij dhe dy fëmijëve (djali 7 vjeç dhe vajza 11 vjeçe), t’u nxjerr pasaportat, që të jenë gati për të udhëtuar për në Turqi, sepse një shok i tij (Diamantit) që është atje (në Turqi) do të vij në Shqipëri pas disa ditësh do t’i përcjellë fëmijët e bashkëshorten e Diamantit me këtë shokun e tij. Diamant Rasha shprehej në kampet e trajnimit ku ishte kishte shumë persona që kishin marrë edhe familjarët e tyre me vete dhe qëndrojnë në çadra të veçanta dhe mbas luftës do të jetojnë në Siri.

Diamant Rasha theksonte se pas mbarimit të luftës, ka dëshirë të jetoj në Siri, sepse një gjë e tillë është e këshillueshme edhe në fenë islame, pasi në Sham (Siri) do të shfaqen dhe shenjat e mëdha të kijametit (shkatërrimi përfundimtar i botës), në Sham do të zbresë imamë Mehdiu, do të shihet me sy të lirë dalja e Dexhallit (krijesë e mbinatyrshme) që përkon me fundin e jetës në dynja/tokë. Diamant Rasha udhëtoi më 16.01.2013 nga Tirana në Stamboll, Turqi. Destinacioni i tij përfundimtar ishte  Siria me qëllim pjesëmarrjen në “xhihad” luftarak atje.

Dëshmia e të atit në gjyq
Në vitin 2015, Shaban Rasha dëshmoi te Krimet e Rënda, në procesin gjyqësor në ngarkim të imamëve dhe besimtarëve të akuzuar për rekrutim të personave për vepra terroriste. Ai u shpreh krenar për djalin e tij dhe faktin se kishte rënë në luftë. “Diamant Rashën e kam djalë. Ai ka ndërruar jetë. Di që është vrarë. Ka qenë në fronin e luftës në Siri kundër Bashar Al Asadit, kriminelit të historisë.

Në dijeni për vrasjen e djalit tim më ka vënë krushku. Babai i nuses së djalit më tha që Diamanti është vrarë. Elhamdulila, i thashë, të gjithë do vdesim një ditë. Ata ishin vënë në dijeni. Djali im ka qenë nga ata burrat e rrallë. Ai gjithë veprimet e tij, gjithë dijeninë e kishte për Allahun. Edhe kur i thosha unë ndonjë gjë tjetër, më thoshte ‘stop’.

Ai ishte i ndershëm, burrë i vendosur dhe që nuk mund të gënjehej apo mashtrohej prej askujt. Atë që kërkoi Allahu ia dha. Pas largimit të tij në Siri kemi komunikuar rregullisht me të. Të dhëna se ku ishte, ai nuk na jepte. Ai thoshte ‘jemi mirë dhe qofshi mirë’. Kaq. Djali im ka qenë te forcat komando në Shqipëri kur ka bërë shërbimin ushtarak. Djali më tha ‘babë, a je trim, më lër të shkoj’.

I thashë ‘je i lirë’. Ai mori atë që kërkonte. Në shtëpinë time kanë ardhur rreth 4 mijë veta nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria jo për të më ngushëlluar, por për të më uruar, për atë që i ndodhi djalit tim. Diamanti nuk ka shkuar për të marrë pjesë në ndonjë organizatë të caktuar. Jam shumë krenar. Kam rritur një trim, që ka rënë shehid dhe jo një frikacak” tha ai para gjyqit.

Riatdhesimet
Një numër i madh grash dhe fëmijësh nga Shqipëria kishin ngecur në këtë kamp të kontrolluar nga forcat kurde prej disa vitesh. Bëhet fjalë për familjarë të luftëtarëve shqiptarë që kishin shkuar për të luftuar në krah të grupeve radikale kundër Presidentit Asad në Siri. Një pjesë e tyre mbetën të vrarë duke lënë gratë dhe fëmijët vetëm, ndërsa të tjerë u shpërndanë pas marrjes së territorit nën kontroll nga forcat kurde.

Pasi morën zonën nën kontroll, kurdët i mblodhën gratë dhe fëmijët e xhihadistëve shqiptarë në kampin “Al Hol” me qëllim mbajtjen e tyre nën kontroll. Nga i njëjti kamp i riatdhesua edhe vogëlushi shqiptar Alvin Berisha, ngjarje e cila bëri bujë disa muaj më parë. Një pjesë e mirë e vendeve i kishin tërhequr qytetarët e tyre nga kampi në fjalë, ndërsa shqiptarët mbetën aty deri ditën e sotme, ku nje pjesë e tyre janë nisur për në Shqipëri. Pritet që në ditët në vijim të bëhet edhe transferimi i të tjerëve.

Abc News