Fitore e vështirë për Yllin - Gazeta Express

Fitore e vështirë për Yllin

Basketboll

Gazeta Express

31/01/2021 17:27

Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Vëllaznimit me rezultat 75:71 (18:19, 19:17, 23:19, 15:16), në kuadër të javës së 19-të në Superligën e Kosovës në basketboll.

Takimi në Therandë ishte mjaft interesant dhe fituesi nuk është ditur deri në çastet e fundit, megjithatë, therandasit triumfuan në fund, që ishte e pesta radhazi në stinorin pranveror.

Ndeshja nisi e baraspeshuar, ku çereku i parë përfundon 18:19 për mysafirët. Asnjëra skuadër nuk arrinte të shkëputej as në periudhën e dytë, që përfundon 19:17, kurse skuadrat shkuan në pushim me shifrat 37:36.

Edhe perioda e tretë ishte e barabartë, derisa në fund shkëputen vendasit, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 60:55. Kuqezinjtë nuk u dorëzuan dhe arritën të kalojnë në epërsi në 63:66, por më pas Ylli u tregua më i vëmendshëm dhe arriti të menaxhojë më mirë lojën në fund për të triumfuar 75:71.

Te Golden Eagle Ylli u dallua Erjon Kastrati me 18 pikë e pesë kërcime, kurse te Vëllaznimi u dallua Emmanuel Emogbo me 22 pikë e 14 kërcime.

Golden Eagle Ylli ka 13 fitore dhe gjashtë humbje, ndërsa Vëllaznimi katër fitore dhe 15 humbje.