Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani, nuk e fshehu zhgënjimin e tij të thellë pas dështimit të Elversbergut për t’u ngjitur në Bundesligë. Pas një sezoni të jashtëzakonshëm në Bundesliga 2, skuadra e tij nuk ia doli të sigurojë promovimin në elitën e futbollit gjerman.
Në sfidën vendimtare të luajtur të hënën mbrëma në fushën e Elversbergut, vendasit u mundën 2:1 nga Heidenheim, që falë këtij rezultati ruajti statusin në Bundesligë për të paktën edhe një sezon tjetër. Edhe pse kishin zhvilluar një sezon mbresëlënës dhe ndeshja e parë ishte mbyllur në barazim, Elversbergu nuk arriti të përmbyste fatin në përballjen e kthimit.
Pas ndeshjes, Asllani theksoi se skuadra e tij e kishte merituar ngjitjen, duke u shprehur:
“Në një edicion kaq të mirë, siç e pa e gjithë Gjermania, e meritonim absolutisht. Patëm fat të keq. Dhamë gjithçka por ndonjëherë më e mira nuk mjafton. E përjetuam anën më të keqe të futbollit”, ka thënë Asllani, shkruan Kicker.
22-vjeçari e përfundoi sezonin si një nga lojtarët më të spikatur të ligës së dytë gjermane, me 18 gola dhe 8 asistime në 33 paraqitje. Ai ishte golashënuesi i tretë më i mirë i kampionatit dhe një element kyç për Elversbergun gjatë gjithë edicionit.
Asllani ishte i huazuar nga Hoffenheimi deri në përfundim të sezonit 2024/25 dhe tashmë pritet të rikthehet te klubi që zotëron kartonin e tij, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2026. Ndërkohë, paraqitjet e tij të shkëlqyera nuk kanë kaluar pa u vënë re – interesimi nga klube si Borussia Mönchengladbach, Ëerder Bremen, Freiburg dhe Stuttgart po rritet dita-ditës.
Elversbergu, që përfundoi i treti në tabelën e Bundesliga 2, iu nënshtrua sfidës së barazhit me Heidenheimin, i cili e mbylli sezonin në vendin e 16-të të Bundesligës. Përkundër përpjekjeve të mëdha, ëndrra për t’u ngjitur në elitë mbeti e parealizuar./GazetaExpress/