Financimet ruse "rindezin" përplasjen Berisha-Basha, deputetët të “ndarë” - Gazeta Express
string(97) "financimet-ruse-rindezin-perplasjen-berisha-basha-deputetet-te-ndare-fjala-e-amerikes-vlen-njesoj"

Shqiperi

Gazeta Express

14/09/2022 16:54

Financimet ruse “rindezin” përplasjen Berisha-Basha, deputetët të “ndarë”

Shqiperi

Gazeta Express

14/09/2022 16:54

Informacionet se Partia Demokratike e Shqipërisë ka përfituar rreth 500,000 Dollarë financime ruse në zgjedhjet e vitit 2017 duke iu referuar raportit të inteligjencës amerikane kanë “trazuar” sërish demokratët të cilët edhe këtë herë janë ndarë në qëndrime.

Ndër të parët që reagoi ishte vetë Lulzim Basha i cili mban peshën kryesore për këtë akuzë. Në një postim që ka bërë në rrjetin social “Twitter”, Basha shprehet se PD nuk ka marrë asnjë financim të huaj aq më pak nga Rusia. Madje thekson se është krenar për marrëdhëniet që ka krijuar me SHBA-në.

Lexo Edhe:

“Ne jemi krenarë për partneritetin e palëkundur me aleatin tonë strategjik, SHBA dhe të vendosur të ecim përpara në krah të aleatëve tanë euro-atlantikë për konsolidimin e vlerave perëndimore dhe integrimin e plotë të Shqipërisë në BE.”- shkruan ndër të tjera Basha.

Pavarësisht se Basha i mohoi akuzat, kryetari i PD Sali Berisha kërkon që çështja e lobimit rus të rihapet nga drjetësia shqiptare megjithëse kjo e fundit e mbylli për mungesë provash.

“Ne e konsiderojmë ndërhyrjen financiare për interesa malinje, që bien ndesh me interesin kombëtar të Shqipërisë dhe orientimin e saj perëndimor, si një cënim flagrant të sovranitetit të vendit, nga një agresor që po lan në gjak popullin mik te Ukrainës. Gjithë përgjegjësitë për këtë bien mbi Lulzim Bashën, i cili për orekset, agjendat, hallet dhe shkeljet personale, vendosi të rrënonte sovranitetin e Partisë Demokratike dhe të merrte zvarrë vullnetin e demokratëve. Partia Demokratike kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë, të mbyllur me ndërhyrjen e Edi Ramës tek gjyqtarët e korruptuar, i cili më parë kishte denoncuar vetë financimin e Lulzim Bashës nga rusët, por tani i duhej te shpëtonte pengun e tij të dobishëm për të shkatërruar Partinë Demokratike.“- thuhet në një deklaratë të zëdhënëses së Rithemelimit.

Si u ndanë deputetët

Gazment Bardhi i cilësoi akuzat thashetheme të vjetra.

“Së pari unë njihem si Gazment Bardhi dhe mbaj përgjegjësi për emrin tim. Ai lajm nuk është i ri , ai është një lajm dhe thashetheme i bërë prej kohësh që ka marrë një përgjigje nga Basha dhe s’kam një koment shtesë.

Nëse lexon artikullin thotë që është thashethem. Mediat që financohen nga paratë e oligarkëve të lutëm më shumë interes për këto. Këtyre mediave iu referohem unë të cilat janë bërë njësh me sistemin, të cilët vazhdojnë dhe riciklojnë të njëjtën përgjigje.

Nuk thash as nuk e besoj VOA as e besoj, sikudër paralelja që hiqni ju nuk qëndron. Për Berishën ka vendim të DASH për në parneteriteti me SHBA është i një rëndësie strategjike. PD nuk thash asgjë nga komentet që ju i jepni mundësi vetes. Unë nuk thash as uk e besoj dhe as nuk mbajta qëndrim. Është një e dhënë e ripërsëritur. Nuk kishte asnjë dokument apo të dhënë shtesë të ndryshme nga ato që publiku shqiptar ka dhënë më parë. në 2017 nuk kam patu asnjë funksion në PD”, tha Bardhi.

Unë them se riciklimi i akuzave të vjetra nuk i shërben as qytetarëve as publikut”, tha deputetja Jorida Tabaku.

Nuk ka dalë provë tjetër, ky argument është përdorur vite më parë dhe zoti Lulzim Basha ka dhënë shpjegime”, u shpreh deputeti Ferdinand Xhaferaj.

Disa prej tyre kanë kërkuar përgjegjësi ligjore për ata që kanë pasur të bëjnë me ketë çështje.

Çdo anëtar i Partisë Demokraike do të ndihej i neveritur nëse para ruse mund të ketë pasur, edhe ndikimin më të vogël”, u shpreh deputeti Ervin Salianji.

 “Duhet sa më tepër t’i largohet historisë së errët të lindjes. Nuk e kam  vënë ndonjëherë në dyshim DASH”, u shpreh Grida Duma.

“Nëse janë të vërteta këto janë të papranueshme. Unë nuk besoj se është rasti, por nëse ndodh, kushdo që është i përfshirë një standard është nga SHBA partneriteti i PD duhet të jetë i pacënueshëm”, theksoi Kreshnik Çollaku.

Përmes një reagimi në Tëitter, Gjekmarkaj theksoi pa shumë komente se fjala e Amerikës vlen njësoj për të gjithë duke nënkuptuar këtu edhe vendimin e DASH për të shpallur non-grata ish-kryeministrin Berisha për korrupsion dhe minim të demokracisë.

“Fjala e Amerikes vlen njesoj për të gjithë.”, shkruan Gjekmarkaj.

Demokrati Genc Pollo, tha se Partia Demokratike duhet të bëj transparencë mbi “500.000 dollarët rusë të Lulzim Bashës”. Për këtë, Pollo thotë se propozon zyrtarisht Berisha e Flamur Noka të ndërmarrin një audit të plotë të çështjes të drejtuar nga një Komision i Posaçëm.

“PD të bëjë transparencë mbi “500 000 dollarët rusë” të Lulzim Bashës . Sipas mediave ndërkombëtare një zyrtar i qeverisë amerikane deklaroi se agjencitë e zbulimit të ShBA po informojnë konfidencialisht disa shtete për financimet e fshehta të Rusisë ne favor të politikanëve të caktuar në më shumë se 24 shtete. Ned Price zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së i quajti këto financime të Kremlinit si sulm mbi sovranitetin e këtyre shteteve. Një zyrtar amerikan anonim i deklaroi Agjencisë France Presse se Rusia shpenzoi afro 500 000 USD për të mbështetur Partinë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet parlamentare të v 2017. Si deputet i zgjedhur në v. 2017 i kam besuar shpjegimeve publike të asokohe kryetarit Lulzim Basha se në asnjë mënyrë burimi i financimit nuk ka qenë Rusia ose të tjera shtete apo organizata jo miqësore me Shqipërinë (fatkeqësisht organeve partiake nuk ju paraqit siç parashikon statuti raporti financiar vjetor që mund të hidhte dritë mbi detajet e këtyre pagesave)”.

Historia e dosjes së lobimit rus nga PD

Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 500 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD. Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezultoi e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit duke ngritur dyshime për origjinën e parave. Kjo solli nisjen e hetimeve nga prokuroria, hetime që më pas u pushuan nga gjykata.

Lulzim Basha së bashku me ish-sekretarin e përgjithshëm të PD-së, dhe Ilir Dervishin sipas prokurorisë akuzoheshin për falsifikim dhe fshehje të financimeve. Lulzim Basha akuzohej se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017. Pasi dëgjoi palët, gjykata arriti në përfundimin se nuk ka fakte që të provojnë akuzat e ngritura për falsifikim të formularëve, në lidhje me deklarimet e Partisë Demokratike në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për shpenzimet e fushatës elektorale të vitit 2017. 

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Basha në shpjegimet e tij për pagesën 500 mijë dollarëshe, fillimisht është shprehur se ajo iu dha nga shqiptaro-amerikanët, por më pas është shprehur se “Çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai. Janë marrëdhënie të firmës Muzin me palë të treta”.

Akuzat që ringrihen

Sipas BBC e cila citon burime nga administrata e SHBA, Rusia kishte shpenzuar rreth 500,000 dollarë për të mbështetur Partinë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet e vitit 2017. Raportohet se gjithashtu financoi partitë ose kandidatët në Bosnjë, Mal të Zi dhe Madagaskar.

Burimi, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht, tha se Rusia ka përdorur gjithashtu Brukselin si qendër për fondacionet dhe frontet e tjera që mbështesin kandidatët e ekstremit të djathtë. Raporti thotë gjithashtu se ambasadës ruse në Ekuador iu dërguan “sasi të mëdha” parash nga viti 2014 deri në vitin 2017.

/Gazeta Express