Rreth filmit ‘Boy Erased’, të regjisorit Joel Edgerton
Dritan Dragusha
“Jam gej dhe jam biri yt. Dhe asnjëra nga këto dyja nuk do të ndryshoj.”, janë fjalët e Jared Eamons, djalit të Marshall Eamons, pastorit baptist. Me këto dy fjali përfundon edhe filmi Boy Erased, i regjisorit Joel Edgerton, por jo edhe lufta për pranimin e njeriut që nga shoqëria konsiderohet si devijim. Të thuash jam gej, do të përballësh me të krishterë, myslimanë, nacionalistë, patriotë, tradhtarë, fallxhorë, kumarxhinj, gjykatës, mësues të etikës, historianë e vrasës serik, sepse që të gjithë këta kanë një të përbashkët, urrejtjen. Nuk është e lehtë që një individ, një i ri, ose një e re, të dalë publikisht të flasë për preferencat e veta seksuale. Nuk mund t’i shprehë ato as në familje, bile-bile, familja është vendi ku mbruhet ndrydhja. Kur kemi parasysh se konstruktimi social njeh si rregull normal dhe të vetmin martesën në mes dy personave me gjini të kundërt, atëherë, si mundet një teenager ta gjejë kurajën të dalë para familjes së tij dhe të deklarohet se orientimi seksual që ai/ajo ka është jashtë atij konstruksioni?! Kjo familje na ka ‘mësuar’ dhe vazhdimisht na ‘mëson’ se si ai duhet të bëhet burrë, kurse ajo e dëgjueshme. Ku ta marrë guximin e të shprehet kur kemi parasysh se secila preferencë apo orientim seksual ndryshe na rendi moral hegjemon konsiderohet si sëmundje që dëmton familjen dhe shoqërinë. Sipas këtij kuti, familje e përsosur dhe shoqëri e përsosur janë ato që e fshehin, e kamuflojnë, e shtypin, e nxjerrin jashtë deri edhe e vrasin dikë që për moralin e tyre është i papërsosur.
“Le t’i ngrehin duart lart të gjithë ata që nuk janë të përsosur. Dhe tani le t’i ngrehin duart ata që janë të përsosur.” Me këto dy fjali të pastorit baptist hapet filmi Boy Erased, që është i bazuar në memoaret e Garrard Conley (këto memoare tregojnë për tmerret që ka përjetuar Conley gjatë jetës së tij, vetëm për faktin se ai ishte këmbëngulës në shpërfaqjen e orientimit të tij seksual). Në fakt, këto dy fjali kanë premisa religjioze, rrjedhimisht edhe ngarkesa morale. Konsiderohet se papërsosmëria na karakterizon ne të gjithëve kur jemi përballë hyjnores, e cila manifeston vetëm të përsosurën. Mirëpo, kur jemi në raport me njëri-tjetrin këto dy kategori pësojnë ndryshim, sepse tani hyjnorja nuk është më qëllimi, por mjeti për ta luftuar tjetrin. Nga kjo përplasje dikur kishte lindur edhe morali. Prandaj, në background të këtyre dy fjalive të lartcekura është gjyqi moral, jo i përcaktuar nga Zoti, por nga njeriu në emër të Zotit (sic!). “Zoti nuk do të të dojë kështu siç je tani”, i thotë udhëheqësi i një qendre kinse rehabilituese, një të riu, i cili nuk është sa duhet burrë. Pasiqë ‘pacienti’ i ri nuk pranon se është mëkatar, i organizohet një gjyq moral, ku për t’ia hequr demonin nga brenda, njerëzit mblidhen dhe e godasin me Bibël, me këtë libër të shenjtë që ‘vret’ shpirtrat e ligë. E kushedi se çfarë shijesh parapëlqen Zoti apo se ç’preferenca seksuale parapëlqen ai për njerëzit?! Kujt ja shpalosi ai ditarin sekret, apo mos ne ishim ata që e konstruktuam atë duke i dhënë autorësi hyjnore?
Jared Eamons, djali i pastorit baptist vihet nën presion për të ndjekur një program terapie që do ta bëjë konvertimin nga orientimi seksual i konsideruar gabuar. Ai për këtë do të trajtohet në një kamp të krishterë antihomoseksual për adoleshentë, në Arkansas. Ky kamp kinse ka si synim ta kthej njeriun e krijuar nga Zoti në rrugën e Zotit. Në fakt, ne nuk e dimë se ky është hall i Zotit. Përmes portretizimit të tjetrit ne sikur mundohemi t’i japim kuptim vetes sonë edhe nëse tjetrin e lëndojmë. Mbase, sa më shumë lëndim, aq më shumë kënaqësi. Nietzsche thoshte se ne kur i japim lëmoshë lypësit, nuk i japim që ta nxjerrim nga gjendja ku është katandisur ai, por për ta bindur vetën që nuk jemi në pozitën e tij dhe ky është kulmi i kënaqësisë. Morali konservativ shoqëror na do të përsosur, sepse përmes kësaj kërkese shoqëria mundohet t’i mbulojë pisllëqet e saj. Shoqëritë me të tilla kërkesa janë me tipare totalitare. E tillë në masë të madhe është edhe shoqëria kosovare. Kërkesa morale e kësaj shoqërie është e pamoralshëm, sepse projekton tek individi njeriun e përsosur, çfarë ajo vetë nuk është. Dhe për ketë nuk duhet t’i vijë keq.
Kërkesën për ndryshim, edhe filmi Boy Erased na e paraqet si nevojë, dhe kjo duhet të nisë, jo nga ata që ne i përjetojmë si të ndryshëm nga ne, por duhet të ndryshojmë vet ne. Familja duhet të ndryshoj. Ideja mbi familjen që e kemi, duhet të ndryshoj. Aty është vendi ku banon dhuna. Andaj, duhet ndryshuar. Marshall Eamons, pastorit baptist në një moment e kupton se është ai që duhet të bëj përpjekje për ndryshim, jo i biri i tij. Përndryshe, shtrohet pyetja: Pse qenka kaq e vështirë, nëse jo ta duam, së paku ta pranojmë tjetrin ashtu siç është, pa pretenduar në ndryshimin e asaj si duket, apo si sillet? Nëse dëshirojmë ta ndryshojmë tjetrin edhe botën, atëherë e kemi shansin; ta nisim nga vetja jonë.
/Gazeta Express