Gjilani ka nisur sot zyrtarisht rrugëtimin drejt realizimit të një prej projekteve më të rëndësishme sportive të qytetit – ndërtimin/rinovimin e stadiumit.
Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili në një status në rrjetet sociale ka konfirmuar nisjen e punimeve që pritet të zgjasin dy vjet.
“Nisën punimet që do të zgjasin dy vjet. Gjilani do ta ketë stadiumin që kaq gjatë e ka pritur, e aq shumë e meriton. Urime dhe punime të mbara e të shpejta!”, shkroi ai.
Ky projekt është pritur me entuziazëm nga qytetarët dhe komuniteti sportiv në Gjilan, duke qenë një investim strategjik për zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe për ngritjen e standardeve të klubeve futbollistike të rajonit.
Stadiumi i ri pritet të plotësojë kushtet për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe të jetë një qendër multifunksionale për ngjarje sportive dhe kulturore. Autoritetet lokale dhe tifozët shpresojnë se ky investim do të sjellë një rigjallërim të sportit dhe ekonomisë lokale.
Projekti është pjesë e përpjekjeve të Qeverisë për të përmirësuar infrastrukturën publike në të gjitha qytetet e Kosovës, me fokus të veçantë në sportin dhe përfshirjen e të rinjve./GazetaExpress/