Policia e Fierit ka arrestuar sot Eltjan Resulin, 34 vjeç, banues në Fier, i shpallur në kërkim për kontrabandën e naftës. Ky arrestim është pjesë e aksionit të koduar “Liquid”, i cili ka përfshirë një hetim për magazinimin dhe transportimin e lëndëve hidrokarbure të dyshuara si kontrabandë.
Resuli u kap pas një dite ndjekjeje dhe është arrestuar për veprat penale të “Ruajtjes dhe magazinimit të mallrave kontrabandë” dhe “Fshehjes së të ardhurave”. Ky operacion ka çuar gjithashtu në arrestimin e dy personave të tjerë, Blertian Dulaj dhe Mario Margilaj, të cilët ishin përfshirë në kontrabandën e karburanteve, duke transportuar dhe depozituar naftën në kushte të paligjshme.
Një ditë më parë, gjatë aksionit, policia sekuestruan autobotin me të cilin po transportoheshin lëndët hidrokarbure dhe kanë bërë të mundur ndalimin e shoferit dhe një prej pronarëve të magazinës ku ishte depozituar karburanti i dyshuar si kontrabandë.