FBK kërkon që palestrat sportive t’u kthehen sportistëve - Gazeta Express

Basketboll

Gazeta Express

31/07/2021 16:09

FBK kërkon që palestrat sportive t’u kthehen sportistëve

Basketboll

Gazeta Express

31/07/2021 16:09

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është e shqetësuar që palestrat sportive në vendin tonë po vazhdojnë të shfrytëzohen për vaksinimin e popullsisë, ndërsa skuadrat e të gjitha kategorive dhe të dyja konkurrencave nuk kanë qasje në to, pavarësisht faktit se ka mbetur vetëm edhe një muaj deri te fillimi i edicionit të ri të garave në basketboll.

Në një komunikatë për media, FBK ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që vaksinimi të kryhet në hapësira tjera dhe palestrat sportive t’u kthehen sportistëve.

Lexo Edhe:

“Federata e Basketbollit e Kosovës i kupton plotësisht institucionet shëndetësore për vaksinimin e popullsisë dhe gjendjen me pandeminë e Covid-19, megjithatë, kërkon nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Drejtoritë e Shëndetësisë në komunat përkatëse që të organizohen sa më parë në mënyrë që vaksinimi të kryhet nëpër hapësira tjera dhe kështu palestrat sportive t’u kthehen sportistëve” – thuhet në komunikatë.

Federata e Basketbollit e Kosovës ka qenë e para e cila i ka ndërprerë garat për shkak të përhapjes së pandemisë Covid-19 në mars të vitit 2020 dhe ka respektuar në tërësi rregullat deri më tani, por klubet e basketbollit nuk kanë hapësirë tjetër ku të stërviten dhe të përgatiten për edicionin e ri, andaj edhe FBK bën apel që institucionet kompetente të marrin masa dhe të organizohen për tu zhvendosur sa më parë nga palestrat sportive në mënyrë që sportistët t’u kthehen stërvitjeve dhe kështu të fillojnë përgatitjet për edicionin e ri.