Eksperti i “merkatos” Fabrizio Romano ka folur për të ardhmen e mesfushorit kroat të Milanit, Luka Modric, duke e bërë një përditësim mbi situatën e tij te Milani.
Sipas gazetarit sportiv italian, ekziston një opsion në kontratën e mesfushorit kroat, prandaj nuk është e nevojshme një negociatë për ta vazhduar bashkëpunimin, përcjell “Gazeta Express”.
Klubi kuqezi i ka bërë tashmë hapat e tij, si në nivel drejtuesish ashtu edhe nga ana e shokëve të skuadrës, të cilët po shtyjnë që ai të qëndrojë edhe një sezon tjetër.
Megjithatë, çështja nuk lidhet as me aspektin ekonomik dhe as me vullnetin e lojtarit.
Bëhet fjalë për faktorë të tjerë: Modric dëshiron fillimisht garanci që Milani do të luajë në Champions League sezonin e ardhshëm.
Një tjetër element i rëndësishëm është raporti shumë i mirë me trajnerin Massimiliano Allegri, me të cilin ekziston respekt i ndërsjellë.
Në fund, vendimtare mbetet konkurrueshmëria e skuadrës: Modric është shumë ambicioz dhe pret që Milani ta ndërtojë një ekip në lartësinë e duhur për të qenë protagonist edhe në Evropë.
Klubi, nga ana e tij, i ka dhënë “dritë jeshile” atij për vazhdimin e kontratës dhe është gati të nënshkruajë në çdo moment.
Tani pritet vetëm sinjali nga vetë lojtari, me një klimë përgjithësisht optimiste për vazhdimësinë. /Gazeta Express