Një emër i ri po mahnit basketbollin evropian. Erxhan Osmani, basketbollisti shqiptar nga Bajram Curri, është kthyer në sensacionin e Eurobasket 2025, duke u bërë një ndër figurat më të diskutuara në arenën ndërkombëtare.
Në gjysmëfinalen historike ku Turqia mposhti Greqinë me rezultat të thellë 94:68, Osmani ishte lojtari kryesor i takimit. Ai e mbylli ndeshjen me 28 pikë, gjashtë kërcime dhe dy asistime, duke u shpallur “Lojtari i ndeshjes” dhe duke udhëhequr Turqinë drejt finales së madhe të Eurobasketit kundër Gjermanisë.
Performanca e tij ishte një nga më të mirat e karrierës dhe ka bërë që emri i tij të përmendet gjerësisht në mediat evropiane dhe botërore si një nga yjet e reja të basketbollit.
Rrugëtimi nga Kosova drejt elitës së Evropës
Historia e Erxhan Osmanit është një tregim frymëzues i punës, përkushtimit dhe pasionit.
Ai lindi më 4 gusht 1998 në Bajram Curr, por hapat e parë në basketboll i mori në Prizren, te klubi Junior 06.
Në moshën vetëm 15-vjeçare, u transferua në Turqi, ku fillimisht luajti për Bandirmas deri në vitin 2020.
Më pas karriera e tij vazhdoi me Beşiktaşin, Darüşşafakan dhe sot tek gjiganti Anadolu Efes, një nga klubet më të mëdha në Evropë.
Nga Kosova në fanellën e Turqisë
Në vitin 2021, Federata e Basketbollit të Turqisë, me lejen e FIBA-s, i dha Osmanit të drejtën të përfaqësonte kombëtaren turke. Që atëherë ai është bërë një pjesë kyçe e skuadrës, duke treguar vazhdimisht stabilitet dhe pjekuri.
Sot, Osmani është jo vetëm një lojtar i rëndësishëm për Turqinë, por edhe një simbol krenarie për shqiptarët, të cilët e shohin si ambasador të talentit dhe punës së palodhur në arenën ndërkombëtare.
Dëshmitë nga basketbolli kosovar
Ish-basketbollisti i njohur kosovar, Muhamed Thaçi (Muja), ka ndarë një rrëfim interesant për fillimet e Osmanit. Ai tha se meritat më të mëdha për përfshirjen e Erxhanit në basketboll i ka Ramush Rushiti, duke treguar prapaskena të kohës kur ai u dërgua për herë të parë në Turqi.
Thaçi thekson se fillimisht Efes nuk e kishte pranuar, por Banviti e mori menjëherë. Ironikisht, sot Anadolu Efes i paguan mbi 1 milion euro për një lojtar që dikur nuk e pëlqeu.
“Shumë shpejt e shohim edhe në NBA,” – deklaroi Muja, duke shprehur bindjen e tij se Osmani është në rrugën e duhur për të kaluar në ligën më të fortë të botës.
Eurobasket 2025: Një kapitull i artë
Turqia tashmë ka siguruar finalen e madhe ndaj Gjermanisë, dhe emri i Erxhan Osmanit është ndër më të përmendurit në sportin evropian. Shumë analistë e cilësojnë atë si një nga lojtarët më të rrezikshëm të turneut, ndërsa rrëfimi i tij është një shembull frymëzues për gjeneratat e reja.
Nga një sallë e vogël në Prizren, deri tek shkëlqimi në një finale të madhe evropiane – historia e Erxhan Osmanit është prova se ëndrrat mund të bëhen realitet me pasion dhe punë të palodhur. /GazetaExpress/